Reshjet e dëborës kanë përfshirë zonën e Kalimashit, në afërsi të tunelit, si dhe disa segmente të Rrugës së Kombit, si pasojë e uljes së temperaturave në qarkun e Kukësit.
Me nisjen e reshjeve, kompania përgjegjëse për mirëmbajtjen e aksit rrugor ka ndërhyrë menjëherë me mjete borëpastruese, për të garantuar qarkullimin normal të automjeteve.
Prania e lagështisë në rrugë, për shkak të reshjeve të shiut të rëna disa orë më parë, e shton rrezikun e krijimit të ngricave me uljen e mëtejshme të temperaturave.
Drejtuesit e mjeteve që përshkojnë këtë aks këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar, të përdorin goma dimërore dhe të mbajnë me vete zinxhirë.
Reshje dëbore janë regjistruar gjithashtu në zonat e larta malore të Kukësit, në lartësitë mbi 700 metra mbi nivelin e detit.















