
Tirana është renditur ndër qytetet me densitetin më të lartë të taksive në Europë, duke lënë pas metropole si Berlini, Londra apo Roma. Sipas të dhënave të publikuara nga Monitor, që i referohen të dhënave zyrtare nga Censusi i vitit 2023 dhe statistikave bashkiake, në kryeqytetin shqiptar ka aktualisht 4.8 taksi për çdo 1,000 banorë, një shifër që e vendos Tiranën ndër më të ngarkuarat në kontinent për këtë kategori.
Krahasuar me qytete të tjera, Berlini numëron vetëm 1.49 taksi për 1,000 banorë, Londra 1.62, Roma 2.74, ndërsa edhe qytete më të vogla si Sarajeva (4.6) dhe Athina (4.33) mbeten pas Tiranës. Në rajon, vetëm Podgorica, kryeqyteti i Malit të Zi, e tejkalon disi me 4.9 taksi për 1,000 banorë. Ky zhvillim tregon jo vetëm për një treg taksish që është zgjeruar me ritme të larta, por edhe për një ndryshim të dinamikave të transportit urban në kryeqytet.
Në muajin maj të këtij viti, numri i taksive të licencuara në Tiranë arriti në 2,850, nga 2,576 që ishin në fund të vitit 2024, duke shënuar një rritje të konsiderueshme prej më shumë se 10 për qind vetëm në pesë muaj. Ky zgjerim vjen në një kohë kur një pjesë e konsiderueshme e flotës së taksive në kryeqytet po elektrifikohet, duke ndikuar si në uljen e ndotjes, ashtu edhe në kostot e operimit. Rritja e numrit të mjeteve elektrike në këtë sektor ka nxitur konkurencën dhe ka ulur çmimet për konsumatorin.
Kjo situatë është reflektim i drejtpërdrejtë i mungesës së një sistemi funksional të transportit publik në qytet. Për shkak të vonesave, mbipopullimit dhe mungesës së linjave efikase të autobusëve, shumë qytetarë zgjedhin të përdorin taksitë si zgjidhje të përditshme për lëvizjen në qytet. Për pasojë, tregu i taksive është bërë një ndër më dinamikët dhe më të aksesueshmit në rajon, si për qytetarët vendas ashtu edhe për turistët.
Pavarësisht përfitimeve në aspektin e aksesit dhe konkurrencës, ky zhvillim ngre edhe pikëpyetje mbi nevojën për një rregullim më të mirë të tregut, planifikim urban dhe investime serioze në transportin publik, për të shmangur mbingarkesën dhe për të garantuar një balancë të qëndrueshme mes alternativave të lëvizjes në qytet.