
Qeveria po bën gati një tjetër mekanizëm për vjeljen e tarifave të rrugëve në Shqipëri. Disa javë më parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar paralajmëroi se duke filluar nga muaji shtator 2025, do të vendoset edhe tarifa e kalimit të automjeteve në Tunelin e Llogarasë.
Nga ana tjetër, qeveria ka përshpejtuar procedurat për monitorimin e rrugëve me kamera, ku është miratuar edhe vendimi për të vendosur plot 125 kamera nga veriu në jug. Synohet që të gjobiten drejtuesit e mjeteve që ecin shpejt dhe janë burim aksidenti.
Të dyja këto vendime, si ndërtimi i traut ashtu edhe kamerat, janë miratuar me një vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, të miratuar në muajin maj 2025.
Faksimile: Vendimi i KKTU-së për ndërtimin e traut dhe miratimit të vendeve në rrugët ku do vendosen kamera
Vendimi i mësipërm, i datës 28 maj 2025, i hulumtuar ng VoxNews, ka miratuar një mori vendesh në dhjetëra bashki për vendosje kamerash. KKTU ka vendosur “për miratimin e lejes së ndërtimit për objektin ‘Qendra e Monitorimit të Trafikut, faza II’, me vendndodhje në bashkitë Malësi e Madhe, Shkodër, Vau i Dejës, Lezhë, Kurbin, Fier, Mallakastër, Memaliaj, Tepelenë, Gjirokastër, Dropull, Vlorë dhe Himarë”.
Është miratuar me kusht leja e ndërtimit me zhvillues Autoritetin Rrugor Shqiptar. Bashkëlidhur këtij vendimi është edhe harta e planvendosjes së strukturave, ku VoxNews ka mësuar se në disa rrugë do të vendosen plot 125 kamera.
Në foto: Në aksin nga Miloti, Lezhë, Shkodër e Hani i Hotit do të vendosen 52 kamera
VoxNews ka mësuar se rruga e cila do të monitorohet me kamera është Miot, Lezhë, Shkodër e përfundon në doganën e Hanit të Hotit, në kufi me Malin e Zi. I gjithë segmenti ka një gjatësi prej 76 kilometrash, ndërkohë që në të njëjtin vendim janë edhe vendet se ku do të jenë kamerat. Në këtë aks do të jenë plot 52 kamera, ose 1 kamer në 1 kilometër e pak. Krahas trafikut synohet që të kontrollohen edhe shkeljet apo ndonjë aksident i mundshëm.
Në foto: Një aks që do të kontrollohet me kamera është nga Levani deri në doganën e Kakavijës, në kufi me Greqi
Një tjetër aks që do të kontrollohet me kamera është ai nga Levani, Fier, në drejtim të Kakavijës, në kufi me Greqinë. Ky aks është i gjatë plot 110 kilometra, ndërkohë që kalon edhe në Tepelenë dhe Gjirokastër. Në këtë aks do të vendosen 54 kamera, ku janë edhe të gjitha vendet. Tashmë leja e ndërtimit është miratuar dhe ngelet vetëm për t’u zbatuar më pas.
Në foto: Rruga nga Orikumi, hyrja e tunelit, Palasë dhe Dhërmi do të monitorohen me kamera
Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit ka miratuar edhe vendosjen e kamerave nga qyteza e Orikumit deri në Dukat, hyrja në tunel. Ky aks është i gjatë 14.7 kilometër dhe do të vendosen 10 kamera. Gjithashtu do të monitorohet edhe tuneli i Llogarasë deri në Palasë me gjatësi 7.4 kilometra, me 3 kamera. Gjithashtu, edhe aksi nga Palasa deri në Dhërmi me gjatësi 4.5 km do të monitorohet gjithashtu, ku do të vendosen plot 6 kamera.
Në foto: Projekti i vendosjes së traut në hyrje të tunelit të Llogarasë
Në të njëjtin vendim është miratuar edhe leja për ndërtimin e traut të tunelit të Llogarasë. Do të ketë 201 metër katrorë ndërtim dhe streha do të jetë plot 1605 metër katrorë. Do të ketë një lartësi prej 12 metrash e mbulesës, ndërkohë që sipërfaqja e përgjithshme e truallit do të jetë 233 mijë m2.
Vendimi vjen disa javë pasi Autoriteti Rrugor hapi edhe tenderin me vlerë 3.1 milionë euro. Këto para’ do të shërbejnë për vendosjen e disa pajisjeve për të vjelë taksën prej 5 eurosh që është parashikuar të vendoset brenda një kohe të shkurtër. Tuneli u hap para verës 2024, teksa qendroi i hapur disa muaj. Mbyllja u justifikua me disa punë të pabëra.
Mësohet se bëhet fjalë për shërbime për menaxhim tunelesh, teksa këto para vijnë pas tenderit të madh, ku vlera shkoi në plot 230 milionë eurosh, me TVSH. Fitues të procedurës së ndërtimit ka qenë një bashkim operatorësh, të kryesuar nga firma turke “INTEKAR YAPI…” dhe shqiptarja “GJOKA”.