
DOSJA E SPAK/ Lidhjet financiare të Ajola Xoxës me kompaninë Doma CO të Selim dhe Dorian Domës, DYSHIMET e SPAK
Nga dosja e hetimit të SPAK për çështjen Veliaj-Xoxa dalin në pah detaje të reja që lidhin financat e Ajola Xoxës me kompaninë “Doma CO”, e njohur më parë si “JEDAS”. Hetuesit kanë siguruar komunikime mes financieres së Xoxës, Adela Kondakçiu, dhe ekonomistes së kompanisë “Partners Law”, të cilat zbulojnë transaksione dhe detyrime të pazakonta me këtë subjekt ndërtues.
Në një prej komunikimeve, ekonomistja i bën të ditur Kondakçiut se ekziston një pagesë e hapur me “JEDAS”, duke shtuar se nuk është shumë e qartë pasi bëhet fjalë për biseda “mes shefave”. Referuar dosjes, “shefja” në fjalë është vetë Ajola Xoxa. Sipas një tjetër mesazhi, ekonomistja i transmeton Kondakçiut një konfirmim nga “shefi” për të proceduar javën pasuese me një pagesë prej 30 mijë eurosh.
Gjatë periudhës 2021–2023, “Partners Law” ka lëshuar fatura për shumë kompani, ku ndër to shfaqet edhe “JEDAS”. Në komunikime, Kondakçiu i tregon koleges se për “JEDAS” ka folur me “shefen”, duke ngritur dyshime se një detyrim prej 60 mijë eurosh, i regjistruar si pagesë “cash”, do të likuidohej në interes të Ajola Xoxës.
Sipas të dhënave të SPAK, detyrimet totale të shoqërive të lidhura me Xoxën ndaj “JEDAS” dhe kompanive të tjera të përmendura arrijnë në 87 mijë euro, ndërsa pagesat e kryera në vetëm dy vite kapin vlerën e 194 mijë eurove. Në total, shoqëritë e kontrolluara nga Xoxa kanë përfituar 281 mijë euro nga entitetet e lidhura me shtetasin Elman Abule, për shërbime të deklaruara si “konsulencë ligjore”.
Kush është “Doma CO” (ish “JEDAS”)?
“Doma CO” është një kompani në pronësi të Selim dhe Dorian Domës, secili me 50% të aksioneve, e themeluar në vitin 2006 në Durrës. Firma përjetoi një rritje të madhe aktiviteti në vitin 2016, ndërsa emri i saj u bë publikisht i njohur pas tërmetit të vitit 2019, kur disa prej pallateve të saj pësuan dëmtime të rënda.
Një nga projektet kryesore të saj është “Kompleksi Rezidencial Jedas” – tre kulla 12-katëshe me 270 apartamente, të cilat Instituti i Ndërtimit i klasifikoi me shkallën e dëmit DS4 (“dëmtim i rëndë”) pas tërmetit. Ky vlerësim tregonte rrezik serioz për jetën e rreth 300 familjeve.
Edhe pse kompania mori përsipër riparimin e dëmeve, procesi u shoqërua me vonesa, kërkesa për fonde shtesë dhe pakënaqësi nga banorët, të cilët dolën në protesta. Fondi i parashikuar për rikonstruksionin e pallatit, me sipërfaqe prej 32 mijë metrash katrorë, ishte 247 milionë lekë të reja, por firma kërkoi më shumë, pavarësisht se dëmet ishin pasojë e cilësisë së dobët të ndërtimit.
Hetimi i SPAK për lidhjet financiare mes Ajola Xoxës dhe “Doma CO” hedh dritë mbi marrëdhënie të mundshme të favorshme dhe konflikte interesi mes biznesit privat dhe bashkisë së Tiranës, duke shtuar peshën e dyshimeve për mënyrën e përfitimit të fondeve dhe marrëdhëniet mes aktorëve kryesorë në këtë çështje. /korrieri