
Kolegji Zgjedhor do të shqyrtojë në datën 13 gusht ora 10:00 kërkesën e “Nisma-Shqipëria Bëhet” për ndarjen e mandatit në Tiranë.
Kryekomisioneri Celibashi ia dha mandatin Kleana Xhuvelit, ndërsa KAS e kaloi tel Ana Dajko.
Tashmë do të jetë Kolegji që do të përcaktojë se cili do të jetë deputeti i këtij koalicioni, ku Shqipëria Bëhet kërkon të jetë Lapaj përfaqësuesi i tyre në parlament.
Lapaj kërkon që të njihet si fitues i listës së hapur me votat preferenciale të qytetarëve për qarkun e Tiranës. Gjithashtu kërkon mosnjohjen si të vlefshme të revokimit të dorëheqjeve më 15 dhe 17 korrik nga Zeqir Kordhoni, daja i Endri Shabanit që pretendoi i pari se firma e dorëheqjes së tij duhej verifikuar pasi nuk mbante mend dhe të Kleana Xhuvelit, të cilën KQZ e shpalli fituese.
KAS më 30 korrik vendosi që mandati i vetëm i fituar nga NSHB në qarkun Tiranë t’i kalonte të parës së listës së mbyllur, Ana Dajko.
Sipas KAS-it, u rrëzua vendimi i Celibashit që i kishte dhënë një mandat Kleana Xhuvelit, e renditur e 4-ta në listën e mbyllur të subjektit, dhe e ktheu mandatin tek e para në këtë listë, Ana Dajko.
Komisioni i Ankesave tha se dorëheqjet në bllok nga kandidimi apo mandati janë ligjërisht nul dhe Celibashi nuk duhet t’i kishte pranuar ato të dorëzuara më 11 maj nga të gjithë kandidatët e listës së fiksuar të Koalicionit “Shqipëria Bëhet”.
Dhe sipas KAS-it, deputeti i NSHB-së nuk do të jetë as daja i Endri Shabanit dhe e as kushërira e Adriatik Lapajt.