
Publikimi i projekt-Kodit të ri Penal nga Ministria e Drejtësisë ka nxitur reagime të forta nga ekspertë të drejtësisë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizata profesionale, të cilët paralajmërojnë mbi pasojat që mund të sjellë zgjerimi i ndërhyrjes penale në fusha që tradicionalisht kanë qenë objekt i rregullimit civil apo administrativ.
Drafti me 952 nene, i hedhur për konsultim publik që nga fundi i korrikut, propozon ashpërsim të dënimeve dhe ndëshkim të sjelljeve të reja si vepra apo kundërvajtje penale. Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL), në një letër drejtuar Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, kërkon rishikim urgjent të dispozitave problematike, duke vënë në dukje rrezikun për cënimin e klimës së biznesit, proporcionalitetit të dënimeve dhe lirisë së shprehjes.
Sipas APL, neni 537 që penalizon “tarifa të papërshtatshme të shërbimit” është i paqartë dhe ndërhyn në mënyrë të pajustifikuar në marrëdhënie kontraktuale tregtare, ndërsa neni 604 e kthen mospagimin në afat të detyrimeve tatimore – edhe kur ndodh nga pamundësia apo vonesa jo e qëllimshme – në vepër penale të dënueshme me burg. Po ashtu, neni 625 mund të penalizojë ofertat konkurruese të ligjshme midis bizneseve, duke futur logjikën penale në marrëdhënie tregu.
Organizatat shprehen se nene të tjera, sidomos ato që lidhen me shpifjen, ndikimin në gjyqtarë apo “profanimin” e Republikës, rrezikojnë të kufizojnë median dhe fjalën e lirë, duke hapur rrugën për interpretime abuzive që mund të dobësojnë mbikëqyrjen publike dhe transparencën.
APL i bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të zgjasë afatet e konsultimit dhe të përfshijë gjerësisht profesionistët e ligjit, biznesin dhe shoqërinë civile, në mënyrë që Kodi i ri Penal të jetë efektiv, proporcional dhe në përputhje me standardet europiane, pa krijuar pasiguri apo hapësira për abuzim në zbatim. /korrieri