Një atentat mafioz tronditi mëngjesin e kësaj të hëne qytetin verior, duke lënë pas dy viktima dhe dy të plagosur.
Të vrarë mbetën shtetasit Armando Pali dhe Liridon (Geridon) Kraja, ndërsa u plagosën Erogen Vaso (i njohur edhe si Brajovic) dhe kamarierja Meri Kaceri, e cila ndodhej në vendin e ngjarjes gjatë momentit të të shtënave.
Dyshohet se objektiv i atentatit ishte Vaso, i cili ndodhet aktualisht në spital nën kujdesin e mjekëve. Përmes një reagimi për VoxNews, ai shprehu ngushëllime për viktimat dhe familjet e tyre, ndërsa hodhi poshtë akuzat për lidhje me grupe kriminale.
“Ngushëllimet e mia më të sinqerta për dy miqtë e mi, qytetarë model të Shkodrës, që u ndanë padrejtësisht nga jeta. Kjo është një plagë e rëndë për mua personalisht dhe për gjithë komunitetin. Distancohem nga çdo informacion që më lidh me grupe kriminale”, shkruan Vaso në reagimin e tij.
Ai thekson se është sipërmarrës në disa biznese, të trashëguara pjesërisht nga babai i tij, ish-futbollist i Shkodrës dhe i kombëtares shqiptare. Vaso kujton gjithashtu se ka qenë pjesë e Vllaznisë si futbollist, si dhe president i klubit të futbollit Tërbuni i Pukës.
Në vijim të reagimit, Vaso nënvizon se familja e tij ka pasur histori përndjekjeje politike para viteve ’90, por edhe përfaqësim të komunitetit malazez në Shkodër, duke shtuar se për disa vite ka shërbyer si anëtar i Këshillit Bashkiak.
“Shpresoj që institucionet të zbardhin sa më shpejt motivet e këtij akti tragjik dhe të mos lihen vend për aludime mediatike. Për çdo lidhje tjetër, fjalën duhet ta kenë organet e drejtësisë”, tha ai.
Policia e Shkodrës njoftoi se autori i dyshuar i ngjarjes është ndaluar, ndërsa janë sekuestruar arma e krimit dhe mjeti i përdorur për atentatin. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.















