Profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka zbuluar detaje të reja tronditëse mbi armën e përdorur nga Ragip Gilaj në masakrën e Shkodrës, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.
Në emisionin Now në Euronews Albania, Karamuço tha se bëhet fjalë për një armë të prodhimit izraelit, model Uzi GAL, e cila ka një shpejtësi zjarri të jashtëzakonshme dhe përdoret kryesisht nga profesionistë.
“Kjo armë hedh 900 plumba në minutë dhe është përdorur që në vitet ’80 nga shërbimet sekrete amerikane për ruajtjen e personaliteteve”, shpjegoi Karamuço.
Ai theksoi se ky model është parë në rajon në duart e vrasësve me pagesë në Serbi, Mal të Zi e Bosnjë, ndërsa ky është rasti i parë i dokumentuar në Shqipëri.
Sipas tij, arma ka kalibër të vogël, nuk kërkon silenciator, prodhon një zhurmë të mbytur dhe është fatale në distanca të afërta. “Është e projektuar për të mbyllur punën shpejt, pa lënë shumë gjurmë,” tha eksperti.
Karamuço shprehu habi se si një armë e tillë ka mundur të përfundojë në duart e grupeve kriminale në Shqipëri, duke e lidhur ngjarjen me një vrasje të porositur.
“Janë të gjitha karakteristikat e një arme të zgjedhur për një mision profesional. Fakti që kjo armë përdoret nga grupe të fuqizuara ekonomikisht, tregon për rrezikun që paraqesin dhe për logjikën e një atentati me pagesë”, përfundoi ai.















