Në një nga bashkitë më të varfra të Shqipërisë, ku mungojnë rrugët, ujësjellësit dhe kanalizimet, Bashkia Librazhd ka vendosur të investojë afro 300 milionë lekë të vjetra për ndërtimin e një “parku aventuresk me observator astronomik”, një projekt që përfshin teleskopë për vëzhgimin e yjeve dhe linja “zip-line” për fluturim turistik.
Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik, tenderi me numër reference REF-60766-09-09-2025, me objektin “Ndërtim i parkut aventuresk (zip line, ballkon panoramik, observator astronomik)”, është shpallur fitues nga kompania AVDULI, në pronësi të biznesmenit Arben Avduli.
Autoriteti kontraktues është Bashkia Librazhd, e drejtuar nga kryetari Mariglen Disha. Fondi limit i përcaktuar ishte 26.2 milionë lekë pa TVSH, ndërsa vlera fituese arriti në 23.3 milionë lekë pa TVSH, ose rreth 280 milionë lekë të vjetra me TVSH, që përbën 89% të fondit limit, një raport që ngre dyshime për mungesë gare reale, aq më tepër kur në tender morën pjesë vetëm dy kompani.
Në pamje të parë, ndërtimi i një observatori astronomik mund të duket si një projekt për zhvillimin e turizmit apo promovimin e shkencës, por për shumë banorë të zonës, investimi është një luks absurd në një bashki ku mungon infrastruktura bazike.
Ndërkohë që komunitetet rurale përreth përballen me mungesë ndriçimi, ujësjellësi e kanalizimesh, Bashkia Librazhd duket e fokusuar në “projektime kozmetike” që nuk u shërbejnë nevojave reale të qytetarëve.
Ky tender është shembulli i radhës i mënyrës sesi pushteti vendor justifikon shpenzime të mëdha nën petkun e “zhvillimit turistik”, ndërsa në realitet fondet publike përfundojnë në duar të njohura.
Nëse Librazhdi ende s’ka ujë të pijshëm, rrugë të kalueshme dhe vende pune, së paku, me këtë projekt, do të ketë një teleskop për të parë yjet, dhe ndoshta për të kuptuar më mirë si humbin në qiell paratë e taksapaguesve. /korrieri











