Gjykata Kushtetuese është mbledhur sot në seancë paraprake për ankimin e qeverisë për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku. Në seancën e sotme do të vendoset nëse ankimi i qeverisë do të kalojë ose jo në seancë plenare. Nga ana tjetër pritet edhe një vendim për kërkesën e qeverisë për pezullimin e vendimit të GJKKO-së deri në shqyrtimin e kërkesës.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Në këto kushte vetë kryeministri Edi Rama deklaroi se pezullimi i Ballukut do të çohet në Kushtetuese, dhe menjëherë pas kësaj deklarate, qeveria iu drejtua Gjykatës.
Në shkresë kryeministria argumenton se është krijuar një konflikt kompetencash midis Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me të drejtën për pezullimin e një anëtari të kabinetit qeveritar. Qeveria kërkon nga Kushtetuesja të shfuqizohet vendimi i GJKKO, duke lënë të hapur mundësinë e një rivlerësimi të masave ndaj Ballukut.
Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj, kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezin, aktualisht drejtor i KESH akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro.
Është Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë për ‘fatin’ e Ballukut, ndërsa kryeministri Edi Rama ka deklaruar se zëvendësimi i Ballukut në qeveri nuk do të ndodhë.















