Një operacion i drejtpërdrejtë amerikan ka çuar në arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, të cilët ndodhen tashmë në paraburgim në Shtetet e Bashkuara. Sipas autoriteteve amerikane, arrestimi është kryer në kuadër të një operacioni të gjerë ushtarak dhe juridik, pas akuzave për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge dhe lidhje me organizata kriminale.
Çifti është transferuar në New York, ku pritet të përballet me drejtësinë federale amerikane. Hetimet ndaj Maduro-s kanë qenë të hapura prej vitesh, ndërsa SHBA e kanë konsideruar prej kohësh regjimin e tij si një strukturë kriminale që ka përdorur shtetin për interesa personale dhe financiare.
Nga ana e saj, qeveria e Karakasit e ka cilësuar arrestimin si një akt agresioni dhe shkelje të sovranitetit kombëtar, duke shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe duke paralajmëruar pasoja politike dhe diplomatike. Megjithatë, zhvillimet në terren tregojnë se pushteti ekzekutiv në Venezuelë është kaluar përkohësisht në duart e një administrate tranzitore.
Presidenti amerikan ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të mbikëqyrin procesin e stabilizimit të vendit, duke folur hapur për një tranzicion të kontrolluar politik dhe ekonomik. Paralelisht, është përmendur edhe përfshirja e kompanive amerikane në sektorin energjetik të Venezuelës, veçanërisht në industrinë e naftës, duke hapur debate për motivet reale të ndërhyrjes.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare. Në Amerikën Latine janë shënuar protesta kundër ndërhyrjes amerikane, ndërsa diaspora venezueliane ka festuar largimin e një regjimi autoritar që ka dominuar vendin për më shumë se një dekadë. Në Evropë dhe rajone të tjera, shqetësimi lidhet kryesisht me precedentët që krijon ky veprim për të drejtën ndërkombëtare.
Analistët e shohin arrestimin e një kreu shteti në detyrë nga një fuqi e madhe si një pikë kthese historike. Për herë të parë pas dekadash, parimi i mosndërhyrjes dhe sovranitetit shtetëror vihet hapur në pikëpyetje, duke forcuar idenë se rendi botëror i ndërtuar pas vitit 1945 po zëvendësohet nga një realitet i ri, ku ligjin nuk e garanton më e drejta ndërkombëtare, por raporti i forcës./korrieri















