Policia e Lezhës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë në lagjen “Besëlidhja”, ku u shkatërrua me eksploziv automjeti i një punonjësi policie.
Në kuadër të operacionit të koduar “Zoomed In”, është identifikuar dhe arrestuar autori i dyshuar, shtetasi F. Rr., 32 vjeç, i cili rezulton me precedent penal në Itali për vjedhje me armë.
Sipas policisë, 32-vjeçari u kap në fshatin Zhejë, në Kurbin, teksa lëvizte me të njëjtin ciklomotor që dyshohet se ka përdorur për të shkuar në vendngjarje ditën e shpërthimit.
Ngjarja ka ndodhur më 15 mars 2026, ku si pasojë e shpërthimit me lëndë plasëse u dëmtua automjeti i punonjësit të Policisë, shtetasit Gj. Gj.
Identifikimi i autorit u bë pas analizimit të një sërë pamjesh filmike të siguruara në akse të ndryshme, ndërsa operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Lezhë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin dhe nën drejtimin e Prokurorisë.
Në vijim të operacionit, është proceduar penalisht edhe babai i 32-vjeçarit, shtetasi N. Rr., 66 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesë iu gjet një armë gjahu pa leje.
Policia bëri me dije se ciklomotori i përdorur dhe arma e gjahut janë sekuestruar si prova materiale.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e një personi tjetër që dyshohet se ka bashkëpunuar me autorin në kryerjen e këtij krimi.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.













