Një muzikant iranian, Ali Ghamsari, ka nisur një protestë simbolike duke qëndruar ulur pranë termocentralit Damavand në Teheran, një nga më të mëdhenjtë në Iran.
Ai reagoi ndaj kërcënimit të presidentit amerikan Donald Trump, i cili paralajmëroi se do të godasë centralet elektrike nëse Irani nuk pranon një marrëveshje armëpushimi deri të martën në mbrëmje.
Në foto dhe video, Ghamsari shihet i ulur mbi një qilim, me një batanije dhe instrumentin e tij muzikor, ndërsa në sfond duket termocentrali. Ai ka deklaruar se do të qëndrojë aty për një kohë.
“Në këto momente ekziston një kërcënim për të sulmuar infrastrukturën tonë. Irani jemi ne: ti, unë, familjet tona, fëmijët dhe spitalet tona. Nëse nuk ka energji elektrike, nuk do të ketë as ujë,” tha Ghamsari në video, duke u bërë thirrje iranianëve të bashkohen për të mbrojtur infrastrukturën jetike të vendit.















