Një dosje e SPAK hedh dritë mbi takimet e zhvilluara në Aruba, Majorka dhe Belgjikë mes personave të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash, si dhe lidhjet e tyre me investime në prona dhe projekte ndërtimi në Shqipëri.
Hetimi, që ka çuar në lëshimin e 20 urdhër-arresteve, ka goditur dy grupe të dyshuara kriminale të trafikut të drogës dhe një rrjet bashkëpunëtorësh në biznes, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar në pastrimin e parave përmes pasurive të paluajtshme.
Sipas dosjes së siguruar nga ZËRI, të ardhurat nga trafiku i kokainës në Europë dyshohet se janë kanalizuar drejt Shqipërisë përmes blerjes së pronave, veprimeve noteriale të maskuara dhe projekteve të ndërtimit. Në këtë pjesë të hetimit përmenden edhe emrat e biznesmenëve Artur Shehu dhe Orest Sota.
Një nga episodet më të rëndësishme të dosjes lidhet me takimet në Aruba, të cilat prej kohësh kanë qenë objekt debatesh publike. SPAK tashmë i përfshin ato zyrtarisht në vendimin e Gjykatës së Posaçme, duke i lidhur jo vetëm me aktivitetin e trafikut të narkotikëve, por edhe me investimet në Shqipëri.
“Nga analizimi i të dhënave të përftuara nga autoritetet gjyqësore të Spanjës, komunikimet në platformën e enkriptuar SkyECC, përgjimet elektronike dhe aktet noteriale, janë mësuar të dhëna të rëndësishme për personat nën hetim”, thuhet në dosje.
Sipas SPAK, këto të dhëna tregojnë për takime të zhvilluara në Majorka, Belgjikë dhe Aruba gjatë viteve 2018–2021. Prokurorët thonë se takimet janë zhvilluar kryesisht në kuadër të veprimtarisë kriminale të trafikimit të narkotikëve, por edhe për investime në Shqipëri.
Hetimi ka evidentuar edhe një tjetër element të rëndësishëm: komunikime për takime me funksionarë të lartë shtetërorë. Dosja nuk jep emra dhe nuk specifikon se cilët janë zyrtarët e përmendur, por thekson se personat nën hetim kanë komunikuar për kontakte të tilla gjatë zhvillimeve jashtë vendit.
Në një pjesë tjetër të dosjes thuhet se Artur Shehu, Adrian Rama dhe Elton Memeti janë përfshirë fillimisht në veprime për zhvillimin e një prone, ndërsa më pas në veprime juridike të maskuara përmes dhurimeve. Sipas SPAK, qëllimi i këtyre veprimeve ishte që, përmes lidhjeve të tyre, të siguronin leje ndërtimi.
“Personat nën hetim kanë kryer edhe takime me njëri-tjetrin jashtë shtetit në Spanjë dhe në Aruba, ndërsa kanë komunikuar edhe në lidhje me takime me funksionarë të lartë shtetërorë”, thuhet në dosje.
Prokurorët dyshojnë se skema synonte fshehjen e origjinës së parave dhe shmangien e justifikimit të burimit të ligjshëm të të ardhurave, sidomos për shkak të vlerës së lartë të tokës dhe pozicionit të saj gjeografik.
Sipas dosjes, nxjerrja e lejes së ndërtimit duket se është penguar nga sekuestrimi i pjesës ideale që Denis Matoshi kishte përfituar përmes dhurimit. Kjo pjesë ishte dërguar për konfiskim, ndërsa një pengesë tjetër ishte fakti se nuk ishte arritur të revokohej një kontratë e lidhur më parë.
Pavarësisht kësaj, SPAK thotë se grupi kriminal, përmes Adrian Ramës, ka vijuar të ndjekë veprimet lidhur edhe me projektin e njohur si “Shkolla e Biçikletave”. Nga komunikimet e administruara rezulton se ai ishte në pritje të planeve të zhvillimit për këtë projekt.
Në dosje thuhet se veprimet e personave nën hetim konsistonin në fshehjen e natyrës së vërtetë të transaksioneve, transferimin e pasurisë tek disa persona në mënyrë të njëpasnjëshme dhe kalimin e saj te individë pa probleme të dukshme ligjore, por të lidhur me persona të dyshuar për aktivitet kriminal.
Sipas SPAK, këto veprime tregojnë se pasuritë mund të zotëroheshin realisht nga vetë personat nën hetim, ndërsa transaksionet janë kryer për të fshehur lidhjen e tyre me tokën dhe zhvillimin e saj.
Për momentin, prokurorët thonë se nuk janë siguruar të dhëna të tjera nëse për këtë pronë janë kryer veprime të mëtejshme zhvillimi. Kjo lidhet edhe me faktin se hetimi është zhvilluar në mënyrë sekrete, pa hetime të hapura në terren. /korrieri











