SPAK ka konfirmuar për herë të parë në një dosje zyrtare takimin e shumëpërfolur të Arubës, ku dyshohet se anëtarë të një grupi të hetuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash kanë komunikuar edhe për kontakte me funksionarë të lartë shtetërorë.
Në vendimin e Gjykatës së Posaçme, të mbështetur edhe në materiale të ardhura nga autoritetet belge dhe spanjolle, përmenden takime të zhvilluara jashtë Shqipërisë nga Artur Shehu, Adrian Rama dhe persona të tjerë nën hetim.
Sipas dosjes, këto takime janë zhvilluar në Spanjë dhe Aruba, ndërsa komunikimet mes të dyshuarve lidhen me projekte ndërtimi, prona në Shqipëri dhe përpjekje për sigurimin e lejeve të ndërtimit.
“Personat nën hetim kanë kryer edhe takime me njëri-tjetrin jashtë shtetit në Spanjë dhe në Aruba, ndërsa ata kanë komunikuar edhe në lidhje me takime me funksionarë të lartë shtetërorë”, thuhet në dosjen e SPAK.
Identiteti i funksionarëve të lartë shtetërorë nuk zbulohet në vendim. Megjithatë, sipas prokurorëve, këto kontakte janë pjesë e skemës së dyshuar për transformimin e parave të përfituara nga trafiku i drogës në investime në pasuri të paluajtshme dhe projekte ndërtimi në Shqipëri.
Në dosje thuhet se Artur Shehu, Adrian Rama dhe Elton Memeti dyshohet se janë përfshirë në veprime për zhvillimin e një prone, më pas në veprime juridike të maskuara përmes dhurimeve, me qëllim që, përmes lidhjeve të tyre, të siguronin leje ndërtimi.
Sipas SPAK, nxjerrja e lejes së ndërtimit duket se është penguar nga sekuestrimi i pjesës ideale që Denis Matoshi kishte përfituar me dhurim, si dhe nga fakti që nuk u arrit revokimi i një kontrate të mëparshme.
Prokurorët thonë se, pavarësisht këtyre pengesave, grupi kriminal ka vijuar të ndjekë veprimet e lidhura edhe me projektin e njohur si “Shkolla e Biçikletave”, ku Adrian Rama rezulton se ishte në pritje të planeve të zhvillimit.
Takimi i Arubës ishte përmendur më herët nga gazetari investigativ italian Nello Trocchia, i cili i ka kushtuar një kapitull të posaçëm në librin e tij. Sipas tij, nga 24 deri më 31 janar 2019, në ishullin karaibik janë mbledhur figura të një rrjeti të dyshuar për trafik droge dhe investime në pasuri të paluajtshme.
Trocchia shkruan se mes të pranishmëve ishte edhe Artur Shehu, të cilin e përshkruan si një nga figurat qendrore të këtij sistemi. Elementi më i fortë i rrëfimit të tij është pretendimi se në Aruba nuk ndodheshin vetëm biznesmenë dhe persona të lidhur me trafikun e drogës, por edhe “përfaqësues të papërcaktuar të qeverisë shqiptare në detyrë”.
Sipas gazetarit italian, objektivi i takimit ishte arritja e një marrëveshjeje për sigurimin e një lejeje ndërtimi për një kullë në Tiranë, mbi një tokë që, sipas hetuesve, ishte në pronësi ose kontroll të grupeve kriminale.
Dosja e SPAK nuk e identifikon funksionarin apo funksionarët e lartë të përmendur në komunikime. Por konfirmimi zyrtar se personat nën hetim kanë diskutuar për takime me zyrtarë të lartë shtetërorë i jep një peshë të re episodit të Arubës, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me hetimin për pastrim parash, prona dhe leje ndërtimi në Shqipëri./korrieri















