Një fregatë luftarake ruse ka qëlluar me të shtëna paralajmëruese në drejtim të një anijeje civile me flamur britanik në Kanalin e Lamanshit, pasi jahti ishte afruar rreth 500 metra pranë anijes ushtarake.
Sipas mediave britanike, incidenti ndodhi rreth 20 milje detare në jug të Ishullit Wight, jashtë ujërave territoriale britanike. Nga ngjarja nuk raportohet për të lënduar apo dëme materiale në jaht.
Ministria britanike e Mbrojtjes bëri të ditur se ka marrë raportime për incidentin dhe se po verifikon rrethanat.
“Po hetojmë raportet për një incident në Kanalin e Lamanshit”, deklaroi një zëdhënës i ministrisë, sipas Sky News.
Autoritetet britanike besojnë se ngjarja duhet trajtuar si një episod i izoluar, por incidenti vjen në një klimë të tensionuar mes Londrës dhe Moskës.
Pak ditë më parë, komandot britanike hipën në bord dhe bllokuan në Kanalin e Lamanshit një cisternë ruse nafte të ashtuquajturës “flota hije”. Cisterna, e quajtur Smyrtos, ishte nën regjimin e sanksioneve.
Operacioni u konsiderua i pari i këtij lloji nga autoritetet britanike, me synim ndërprerjen e të ardhurave nga nafta ruse, të cilat sipas Londrës përdoren për financimin e luftës në Ukrainë. Anija u sekuestrua nga autoritetet britanike.
Në një deklaratë të veçantë të publikuar të hënën, Marina Britanike njoftoi se dy anije të saj kishin ndjekur hap pas hapi fregatën ruse “Admiral Grigorovich” në Kanalin e Lamanshit, në perëndim të Brestit në Francë.













