Drejtori i Hipotekës, Martin Kala, ka kthyer zyrën e tij në një sportel të paligjshëm për kalimin e pronave..
Ish funksionar i LSI-së, Martin Kala u katapultua në një nga drejtoritë më të rëndësishme të ASHK-së, Drejtoria Vendore Rurale 1 Tiranë.
Pa asnjë meritë profesionale, pa asnjë kurrikul, ai u vendos në krye të institucionit që kontrollon pronat në periferi të Tiranës dhe në zonat rurale, pikërisht aty ku oligarkët dhe krimi kanë ndërtuar vila e kulla gjigante, duke hapur rrugën për kalimin e paligjshëm të pronave nga dora në dorë.
Por Kala nuk shkoi atje për t’u vënë në shërbim të qytetarëve, por për të kthyer Hipotekën në një mjet për pasurim personal, duke shfrytëzuar pozicionin për të lehtësuar kalimin e paligjshëm të pronave dhe për të marrë në këmbim shuma të mëdha parash nga ata që kishin nevojë për një firmë të shpejtë.
Në duart e tij, Hipoteka u kthye në një zyrë noteriale të paligjshme, ku pronat publike dhe private tjetërsoheshin me shpejtësinë e rrufesë. Kala u bë “noteri” i krimit, duke firmosur kalimin e pasurive për biznesmenë e oligarkë, duke marrë në këmbim tarifa të çmendura për legalizime.
Bashkëpunëtorët e tij? Një rrjet noterësh të identifikuar nga autoritetet, të gatshëm të mbyllin sytë për dokumentacion të falsifikuar, kufij të manipuluar, prona që ndërronin pronar brenda natës.
Në qendër të këtij pazar është vetë Martin Kala. Ndërsa qytetarët e thjeshtë përballeshin me radhë, tarifa të paligjshme dhe dokumente që humbnin, Kala po ndërtonte pasurinë e tij. Në zonën e TEG-ut, një nga trojet më të lakmuara të Tiranës, kaloi prona në emër të njerëzve të tij të afërt, jo rastësisht, sepse aty ku qarkullon betoni, qarkullon edhe paraja e pistë.
Sot fokusi është te Martin Kala, drejtori i Hipotekës që u kthye në portier të pronave shqiptare, duke i hapur derën kujtdo që paguante.
Një “noter” i krimit në zemër të ASHK-së, i paprekshëm, i patundur, ndërsa qytetarët vazhdojnë të presin me dekada për të drejtën e tyre mbi pronën. Batërdia e bërë nga Martin Kala në ASHK, Drejtoria Vendore Rurale 1 Tiranë, nuk mund të mbetet pa përgjigje.
Të dhënat, dokumentet dhe provat e kalimit të paligjshëm të pronave kërkojnë një hetim të thelluar nga SPAK, i vetmi institucion që mund të depërtojë në këtë labirint korrupsioni. Nëse prokuroria e posaçme nuk ndërhyn, kjo batërdi do të vazhdojë të hajë pronën shqiptare, ndërsa Kala do të vijojë të firmosë në heshtje… Marrë me shkurtime nga Pamfleti
















