Gjykata Supreme e Brazilit ka vendosur të mos pranojë kërkesën e mbrojtjes për lirimin e Ervin Matës, duke lënë në fuqi masën e arrestit me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Vendimi është firmosur nga gjyqtari Alexandre de Moraes, i cili vlerëson se paraburgimi mbetet i domosdoshëm për të garantuar zhvillimin e procedurës së ekstradimit dhe për të shmangur rrezikun e largimit të të kërkuarit.
Në dokument thuhet se autoritetet shqiptare e kanë paraqitur në kohë dhe në mënyrë të rregullt kërkesën zyrtare për ekstradim, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme e Brazilit është shprehur në favor të vazhdimit të procedurës. Gjykata rrëzon gjithashtu pretendimet e mbrojtjes se kishte tejkalim të afateve procedurale, duke argumentuar se dokumentacioni i nevojshëm është dorëzuar sipas kërkesave ligjore.
Po ashtu, gjykata refuzon kërkesën për zëvendësimin e paraburgimit me masa më të lehta sigurie dhe nuk pranon zhvillimin e hetimeve shtesë të kërkuara nga mbrojtja.
Me këtë vendim, Ervin Mata do të vijojë të qëndrojë në paraburgim në Brazil, ndërsa pritet shqyrtimi i mëtejshëm i kërkesës së Shqipërisë për ekstradimin e tij.
















