Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar një devijim të përkohshëm të trafikut në autostradën Tiranë-Durrës, në një prej periudhave më të ngarkuara të sezonit veror.
Ndërhyrja do të zhvillohet në datat 14 dhe 15 gusht 2026, nga ora 23:00 deri në 05:00, për shkak të montimit të trarëve metalikë të mbikalimit të ri të Kasharit.
Në kuadër të punimeve për objektin “Zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës (Faza III)”, do të bllokohen përkohësisht dy korsitë e aksit kryesor në drejtimin Tiranë-Durrës.
Gjatë orarit të punimeve, automjetet që udhëtojnë drejt Durrësit do të devijohen në dy korsitë e anës së majtë të autostradës, të cilat do të funksionojnë përkohësisht me dy drejtime lëvizjeje.
Ndërkohë, sipas ARRSH-së, qarkullimi i mjeteve me destinacion Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës do të vijojë pa pengesa.
















