Një incident i rëndë është regjistruar pasditen e dje në Krastë të Krujës, ndërsa zjarrfikësit po përpiqeshin të vinin nën kontroll disa vatra zjarri pranë zonave të banuara.
Sipas informacioneve paraprake, një person ende i paidentifikuar ka qëlluar dy herë me armë zjarri në ajër, duke paralajmëruar efektivët zjarrfikës që të largoheshin nga një prej zonave ku po ndërhynin. Pas të shtënave, autori është larguar nga vendi i ngjarjes.
Zjarrfikësit kanë njoftuar menjëherë Policinë, por kanë vijuar punën për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Autoritetet po punojnë për identifikimin dhe kapjen e personit që qëlloi me armë.
Aktualisht në Krastë raportohen rreth pesë vatra aktive, të shpërndara në pika të ndryshme. Era po favorizon përhapjen e zjarrit, ndërsa flakët janë intensive dhe ndodhen pranë banesave.
Në operacion janë angazhuar zjarrfikësit e Krujës, të mbështetur nga ekipet e Kamzës dhe Vorës. Ndërhyrja po zhvillohet edhe nga ajri me një helikopter.















