Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje në Pogradec një mbledhje gati shtatëorëshe me 12 drejtuesit politikë të qarqeve dhe kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare, duke hapur sezonin e ri politik të mazhorancës.
Në qendër të diskutimeve ishte dokumenti “Besa”, i mbështetur në katër shtylla: besim, empati, shërbim dhe angazhim. Të pranishmit dhanë sugjerime për përmirësimin e tij dhe të dokumentit tjetër, “Prania Besnike”, me synimin që të hartohet një version përfundimtar i metodës së punës së socialistëve gjatë mandatit të katërt.
Rama kërkoi mendime edhe për përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet ministrave, drejtuesve politikë, deputetëve, kryetarëve të bashkive dhe drejtuesve rajonalë. Objektivi, sipas diskutimeve, është rritja e përgjegjësisë në territor dhe përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve.
Një tjetër çështje ishte komunikimi publik i qeverisë dhe Partisë Socialiste, përfshirë daljet në media dhe përdorimin e rrjeteve sociale. Kryeministri u ka kërkuar gjithashtu drejtuesve politikë që të nisin përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Pas takimit, Rama prezantoi edhe projektin “Pasqyrë Albania”, që synon të bashkojë institucionet në një platformë të vetme. Sipas tij, çdo kërkesë apo ankesë e qytetarëve duhet të mund të ndiqet në kohë reale, njësoj si gjurmimi i një dërgese postare, ndërsa vonesat e institucioneve do të kontrollohen dhe evidentohen.
Takimet në Pogradec vijojnë të hënën në orën 09:30, kur ministrat dhe drejtuesit e agjencive do të raportojnë për performancën e institucioneve gjatë periudhës janar–gusht 2026, prioritetet e muajve të ardhshëm dhe praninë e secilës ministri në media.
Në fillim të shtatorit pritet të mblidhet edhe Asambleja Kombëtare e PS-së, takim që mund të shoqërohet me vendimmarrje të reja politike dhe ndryshime në kabinetin qeveritar, megjithëse deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar.













