Përplasja mes qeverisë dhe gjyqësorit për pagat ka nxjerrë në sipërfaqe jo vetëm një konflikt institucional, por edhe mënyrën selektive se si ekzekutivi e përdor argumentin e buxhetit. Pas kallëzimit penal të magjistratëve ndaj Thesarit, ministri i Financave, Petrit Malaj, doli publikisht për të mbrojtur institucionin e tij dhe për ta kthyer debatin në një çështje kostoje.
Ai renditi pagat bruto të gjyqtarëve sot dhe ato që, sipas tij, kërkohen pas interpretimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese: gjyqtari i shkallës së parë nga 376 mijë lekë në 567 mijë, gjyqtari i apelit nga 389 mijë në 586 mijë, ndërsa magjistrati i Grupit III në GJKKO nga 660 mijë lekë në pothuajse një milion. Në fund, ministri nxori faturën: 40 milionë euro në vit dhe 125 milionë euro për vitet 2023–2026. Gjithsej 165 milionë euro që, sipas qeverisë, rëndojnë buxhetin.
Me këtë dalje, Malaj u përpoq ta zhvendoste thelbin e konfliktit nga zbatimi i vendimit të Kushtetueses te frika nga fatura. Mesazhi ishte i qartë: për pagat e gjyqësorit nuk hapet arka e shtetit pa një ligj të Kuvendit. Qeveria, e cila e la afatin e Gjykatës Kushtetuese të kalonte pa zgjidhje ligjore, tani e paraqet veten si mbrojtëse të financave publike përballë një sistemi drejtësie që, sipas saj, po kërkon shumë.
Por kjo kujdesje e beftë për buxhetin bëhet më pak bindëse kur krahasohet me mënyrën se si e njëjta qeveri, i njëjti Thesar dhe e njëjta Ministri Financash kanë vepruar me kontrata të tjera publike. Sepse ndërsa për gjyqtarët kërkohet ligj, formulë dhe Kuvend, për inceneratorët mjafton një kontratë që vazhdon të prodhojë pagesa, edhe kur objekti kryesor i saj nuk ekziston.
Rasti më i qartë është inceneratori i Tiranës. Sipas Open Data Albania, nga buxheti janë derdhur rreth 9.1 miliardë lekë, afërsisht 92 milionë euro, për kompaninë koncesionare. Vetëm në vitin 2025 pagesat arrijnë rreth 1.4 miliardë lekë. Ndërkohë, impianti i djegies së mbetjeve, për të cilin u ngrit kontrata, nuk është ndërtuar. Mbetjet shkojnë në landfill, tarifa paguhet dhe kompania, edhe pse nën sekuestro, rezulton me fitime miliona eurosh.
Këtu nuk ka pasur dalje të ministrit të Financave për të qarë hallin e buxhetit. Nuk ka pasur tabelë publike se sa euro janë paguar për një incenerator që nuk djeg. Nuk ka pasur deklaratë se këto para “ikin nga buxheti”. Përkundrazi, pagesat janë trajtuar si detyrim kontraktor, sepse kontrata PPP nuk është shpallur e pavlefshme. Me fjalë të tjera, kur bëhet fjalë për një vendim të Kushtetueses që prek pagat e gjyqtarëve, shteti kërkon Kuvendin. Kur bëhet fjalë për një koncesion të kapur nga hetimet dhe pa impiant funksional, shteti kërkon vetëm kontratën.
E njëjta logjikë shfaqet edhe te AKSHI. Një agjenci me portofol qindra milionë eurosh, me kontrata të klasifikuara, me procedura të hetuara nga SPAK dhe me kompani përfituese që janë bërë pjesë e dosjeve penale. Dosja e SPAK-ut flet për dhjetëra milionë euro tendera, për skema përfitimi dhe për pasuri të sekuestruara që arrijnë shifra të krahasueshme me vetë koston vjetore që Malaj paraqet si barrë për pagat e drejtësisë. Megjithatë, edhe aty Thesari nuk është shfaqur me të njëjtën rreptësi. Pagesat kanë vijuar, faturat janë njohur, kontratat janë ekzekutuar.
Kështu, debati për pagat e gjyqësorit nuk është më thjesht debat pagash. Është pjesë e një përplasjeje më të gjerë mes qeverisë dhe një pushteti që ekzekutivi e do të kontrolluar edhe përmes arkës. Sepse në momentin kur drejtësia kërkon zbatimin e një standardi të njohur nga Gjykata Kushtetuese, qeveria i vendos përpara faturën. Ndërsa kur buxheti financon koncesione të dështuara apo tendera që hetohen nga SPAK, fatura zhduket pas fjalës “detyrim”.
Ministri i Financave nxori për publikun faturën 165 milionë euro të pagave të magjistratëve, duke e ditur shumë mirë se shifra të tilla, të hedhura në një vend ku paga mesatare mezi mban familjen, prodhojnë menjëherë zemërim. Është një mënyrë e lehtë për ta kthyer konfliktin institucional në mllef popullor ndaj gjyqtarëve.
Por Malaj ndoshta duhet ta dijë se kjo lloj propagande dylekshe nuk e mbulon problemin e vërtetë. Në Shqipëri, buxheti nuk është rrënuar nga pagat e gjyqtarëve. Nuk janë rrogat e magjistratëve arsyeja pse qytetari nuk merr shërbime, pse spitalet kanë mungesa, pse shkollat bien copë, apo pse paratë publike zhduken në kontrata që prodhojnë më shumë dosje penale sesa punë të kryera.
Problemi i madh i buxhetit nuk është paga që kërkon gjyqësori pas një vendimi të Kushtetueses. Problemi është vjedhja e buxhetit. Janë milionat e inceneratorëve që paguhen edhe kur impiantet nuk ekzistojnë. Janë tenderat e AKSHI-t që hetohen nga SPAK. Janë kontratat ku shteti bëhet bujar me paratë e qytetarëve dhe i kujdesshëm vetëm kur duhet të paguajë një pushtet që nuk e kontrollon dot.
Prandaj, para se të qajë hallin e buxhetit me pagat e gjyqtarëve, ministri i Financave mund të nisë nga faturat që qeveria i ka firmosur vetë. Sepse në këtë vend problemi nuk janë rrogat. Problemi është plaçkitja e buxhetit me kontrata, koncesione dhe tendera që qytetari i paguan, ndërsa askush në qeveri nuk del t’i quajë kosto.
















