Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës 49-vjeçari Kreshnik Cara, i cili mbeti i plagosur me thikë pas një konflikti në Tiranë.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Sami Frashëri”, ku Cara u godit me mjet prerës në pjesën e barkut.
Pas plagosjes, 49-vjeçari u dërgua në Spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore.
Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Autori i dyshuar i ngjarjes është identifikuar si shtetasi Toni Nake.
Policia e Shtetit konfirmoi vdekjen e Kreshnik Carës përmes një njoftimi të dytë lidhur me ngjarjen.
Sipas njoftimit, 49-vjeçari ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të shkaktuara me mjet prerës.
“Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, ju informojmë se shtetasi K. C., 49 vjeç, i cili u plagos me mjet prerës, pavarësisht ndihmës mjekësore të marrë, ka ndërruar jetë në spital”, bëri me dije Policia.
Grupi hetimor po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
















