Tension në burgun “Don Bosco” të Pizës, ku mbrëmjen e së mërkurës rreth 40 të burgosur morën pjesë në një protestë pasi në qelitë e tyre dyshohet se u gjetën mikrofona dhe mikrokamera të fshehura.
Sipas mediave italiane, protesta nisi nga një live në TikTok i bërë nga një i burgosur me origjinë shqiptare, i cili denoncoi se të burgosurit ishin nxjerrë më parë nga qelitë me justifikimin e një “prove evakuimi” dhe, kur ishin kthyer, kishin gjetur pajisje përgjimi në ambientet ku qëndronin.
Emri i shqiptarit nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet italiane, por në rrjetet sociale po qarkullon dyshimi se personi që ka bërë live-in mund të jetë Kozak, i njohur për praninë e tij në TikTok.
Jashtë burgut u vendosën forca policie, karabinierë dhe policia, ndërsa brenda strukturës hynë edhe ambulanca. Mediat italiane raportojnë se gjatë protestës ka pasur përplasje mes të burgosurve dhe policisë penitenciare, por situata më pas është vendosur nën kontroll.














