Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili po gjykohet për 13 akuza penale, përmes një letre dërguar Gjykatës së Posaçme, kërkon të marrë pjesë në seancë gjyqësore, por thotë se këtë nuk ia mundëson gjendja shëndetësore.
“Për shkak të gjendjes shëndetësore, për të cilën më është rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale, kam 10 ditë që kërkoj dokumentacionin mjekësor, por nuk më është dhënë asnjë shpjegim. Kjo situatë më pengon të marr pjesë në gjykim dhe kërkoj që seanca gjyqësore të shtyhet”, shkruante Veliaj. Prokurori i posaçëm Altin Dumani deklaroi se SPAK nuk ka asnjë relacion mjekësor nga mjeku i burgut që të përshkruajë gjendjen shëndetësore të Veliajt. “Nuk kemi asnjë dokument konkret mbi gjendjen e tij që të ishim të qartë”, u shpreh Dumani.
Avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, pretendoi se SPAK është informuar mbi gjendjen shëndetësore të klientit të tij.
“Drejtoria e Burgjeve nuk jep informacion për një të drejtë bazike. Kjo bëhet pengesë për vijimin e seancës. Ka pasur kontrolle mjekësore në IEVP, ka bërë rezonancën dhe grafinë. I është thënë se ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale”, theksoi Ndreca.
Gjykata u tërhoq në dhomë këshillimi për të vendosur lidhur me vijimin e seancës.
Pasi u tërhoq në dhomë këshillimi, Gjykata kërkoi nga SPAK nëse ka të dhëna zyrtare për gjendjen shëndetësore të të pandehurit Erion Veliaj. “Në dijeni të SPAK, i pandehuri nuk ka pasur gjendje emergjente shëndetësore. Thuhet që ka nevojë për ndërhyrje. Në dijeninë time, e di që ka pasur komunikime me e-mail nga mbrojtja e Veliajt. Drejtoria e Burgjeve ka arsyet e saj dhe po e ndjek në mënyrë strikte rregulloren. Gjendja nuk është emergjente. I pandehuri ka kërkuar leje për të marrë pjesë fizikisht në aktivitete të tjera dhe nuk e ka penguar gjendja e këmbës”, theksoi prokurori Ols Dado. Ai akuzoi mbrojtjen për informacione të njëanshme.
















