
Beteja me zjarret vijon të jetë e vështirë edhe këtë të mërkurë në Gramsh, ku flakët, të përhapura masivisht një ditë më parë, kanë përfshirë disa fshatra dhe kanë shkatërruar banesa. Të paktën 32 banorë kanë kaluar natën në konviktet e qytetit të Gramshit, pas evakuimit të detyruar.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata në Gramsh mbetet kritike. Tre helikopterë të Forcave të Armatosura po kryejnë operacione ajrore për shuarjen e flakëve. Për shkak të afrimit të zjarrit, banorët e fshatit Nartë janë larguar nga banesat e tyre pas urdhrit të evakuimit.
Dy fshatra, Shëmbërdhenj dhe Bletas, janë shkrumbuar plotësisht, ndërsa flakët vijojnë të përhapen edhe në zona të tjera, përfshirë Mukaj dhe Sojnik, ku po digjen sipërfaqe me shkurre dhe ferra.
Vatra zjarri janë aktive edhe në zona të tjera të vendit:
Hormovë, Tepelenë – rreziku për banesat është shmangur, por puna për shuarjen e zjarrit vazhdon.
Parku natyror i Gërmenjit, Kolonjë – zjarri është aktiv në pyjet me pisha. Terreni i vështirë dhe shpërthimet e municioneve në perimetrin e flakëve e bëjnë të pamundur ndërhyrjen e drejtpërdrejtë, duke u mbajtur nën monitorim të vazhdueshëm.
Ferraj dhe Zall-Herr, Tiranë – vatrat po mbahen nën kontroll.
Kryevidh, Rrogozhinë – janë djegur rreth 100 hektarë dhe dy shtëpi të pabanuara.
Fshati Xath, Fushë Arrëz dhe Bizë, Martanesh – vatra të fuqishme në terren malor të vështirë.
Në total, mbi 10 mijë forca të emergjencave ndodhen në terren për të vënë nën kontroll vatrat e shumta të zjarrit, të shpërndara në një pjesë të konsiderueshme të territorit, me ndihmën e mjeteve ajrore të Forcave të Armatosura.
Ky është një nga rastet më të rënda të përhapjes së zjarreve në vend vitet e fundit, ndërsa autoritetet apelojnë për kujdes maksimal dhe bashkëpunim të plotë të qytetarëve për të shmangur rrezikun për jetën dhe pronën.