Një varr monumental i periudhës romake nxjerrë në dritë së fundmi në Bulqizë është konsideruar si një zbulim interesant për disa arsye.
Ai është varri i parë i këtij lloji në vendin tonë, dhe i përkste një figure të rëndësishme për kohën.
Por arkeologët arritën të sigurojnë shumë pak material, disa qelqurina të thyera, një copëz pëlhure nga veshja e të ndjerit dhe disa maja thikash.
Për fat të keq, ky varr që mendohet të ketë qenë i mbushur me objekte të tjera antike, është grabitur jo vetëm në antikitet siç u shpreh arkeologu por edhe tani vonë.
Në fakt, arkeologët u sinjalizuan pasi banorët kishin raportuar se një mjet i rëndë, eskavator i kishte hedhur litarin një prej gurrave të mëdhenj të varrit dhe e kishte tërhequr. Nëse kjo ka ndodhur kohët e fundit, nuk mund të thuhet, por si në shumë raste të tjera, grabitësit e thesareve të nëntokës duket se janë një hap para autoriteteve.
Një shqetësim të tillë e ngre edhe studiuesi Artan Shkreli. Ai thotë se do të preferonte që Shqipëria të kishte një arkeolog kontrovers si bullgari Georgi Kitov, i cili kritikohej për gërmimet pa kriter, por e bënte këtë për të nxituar në zbulimin e thesareve thrake, përpara se ato të binin në duart e grabitësve.
Ja reagimi i tij:
P A S . Ç D O . Z B U L I M I . Z Y R T A R
…
në arkeologji, shtrohet pyetja nëse siti është i padhunuar apo i grabitur paraprakisht…
Kjo u shtrua edhe në zbulimin e Strikçanit, Bulqize: nëse varri, ishte i dhunuar, pra i grabitur? Dhe nga kush, e kur?
E ndërkaq nga praktika dimë se sapo arkeologët zbulojnë dicka, kërkuesit e thesareve janë potencial i menjëhershëm për gërmime kriminale (ka ndodhur më parë me varrin e Jorgucatit në Gjirokastër).
Kësisoj, në kushtet e kontrollit të dobët të teritorit, dilema e arkeologëve – nëse duhet të gërmojnë me nge’ (sezon pas sezoni) apo të shpejtojnë gërmimet tej standardeve e protokolleve – është e madhe.
Cka dimë aktualisht – në rastin e monumentit funerar të Strikçanit – është se “zbulimi”, përsa i rëndësishëm paraqitet, u bë vetëm pasi varri ish bastisur më parë nga gërmuesit klandestinë; të cilët, nga sa rezulton, kanë përdorur mjete të rënda për të zhvendosur masat plateale të gurit për t’u futur brenda. Askush nuk e di sot se çfarë inventari artefaktesh të antikitetit iliro-romak është grabitur në atë varr madhështor…
Afërmendsh fenomeni nuk është vetëm shqiptar, ndonëse dimensionet e grabitjeve të antikave në vendin tonë nuk janë statistikuar ndonjëherë, por fakti se thuajse asnjëherë nuk kemi gjetje spektakolare të shpie në idenë se sitet arkeologjike “pastrohen” ilegalisht përpara se mbi to të bjerë kazma e arkeologut.
Tjetërkund – nga halli sigurisht – kanë dalë në pah edhe figura si Georgi Kitov, një nga personalitetet më kontradiktore në arkeologjinë bullgare sot, i cili nga revista “National Geographic” u quajt gjysmë hero – gjysmë kriminel. Arsyeja për këtë ishte metoda e tij e gërmimit të shpejtë të tumave të lashta trake duke përdorur edhe makineri. E vërteta është se për dekada të tëra, ndërsa përpiqej të hynte në varret e mbretërve trakë, ende të pa-plaçkitura, Kitovi (në shërbim të shtetit) ka konkurruar me mafian e gjuetarëve të thesareve, të cilët kanë në dispozicion pajisjet më moderne. Dhe jo rrallë ai ia ka dalë mbanë duke bërë zbulime të bujshme. Gjithsesi, në vitin 2001, autoritetet bullgare ia patën revokuar për një vit lejen e gërmimit me dyshimin se ai kish gërmuar pa protokollet përkatëse…
(Kitovi – per mua hero – vdiq nga një atak në zemër ndërsa gërmonte një tempull në Bullgarinë qendrore, tempull që konsiderohet një nga zbulimet e tij më të mëdha).
Për tu kthyer te ne, nga sa duket, ajo që do të mbetet në Bulqizë, do të jetë një monument funerar madhështor, por bosh; spektakolar në imazh, por pa fjalë, e pa një histori të personalizuar për të treguar.
Ndofta një Kitov shqiptar, jo shumë ortodoks, por i mirëfinancuar, që do kish përdorur të njëjtat mjete të rënda (që del se kanë përdorur “tombaiolët” e Strikçanit), me efektet përkatëse anësore, do mund të kish hedhur bazat, përmes një inventari të paçmuar, për një muze unikal.














