Projektligji i ri i Ministrisë së Financave për taksimin e pasurive të paluajtshme parashikon një formulë të re për llogaritjen e taksës së banesës së parë, e cila synon të lehtësojë barrën për pronat me vlerë më të ulët, por në të njëjtën kohë rrit detyrimin për banesat më të shtrenjta.
Sipas draftit, shkalla e taksës për ndërtesat e banimit propozohet të rritet nga niveli aktual 0.05% në një interval nga 0.1% deri në 0.2% të vlerës së pronës. Kjo do të thotë se norma e taksimit mund të jetë deri në trefish më e lartë se ajo që aplikohet aktualisht.
Megjithatë, për banesën e parë parashikohet një lehtësi fiskale. Për pronat me vlerë deri në dyfishin e pragut të patatueshëm të përcaktuar për secilën bashki, taksa do të llogaritet vetëm mbi 50% të vlerës së banesës. Në praktikë, kjo do të thotë se pronari do të paguajë vetëm gjysmën e taksës që do të paguante në mungesë të këtij përjashtimi.
Ndryshe paraqitet situata për banesat me vlerë më të lartë. Nëse vlera e pronës tejkalon dyfishin e pragut të patatueshëm, qytetari nuk përfiton më zbritjen prej 50% të vlerës së banesës. Në këtë rast, si pjesë e patatueshme do të njihet vetëm pragu i përcaktuar nga ligji, ndërsa taksa do të llogaritet mbi pjesën e mbetur të vlerës së pronës.
Drafti ndan bashkitë në shtatë kategori. Për Tiranën, që përbën kategorinë e parë, pragu maksimal i patatueshëm është propozuar në 8.4 milionë lekë. Në kategorinë e dytë përfshihen Durrësi, Vlora, Saranda dhe Himara, ku pragu maksimal i patatueshëm është 4.75 milionë lekë.
Për shembull, një banesë e parë në Tiranë me vlerë 10 milionë lekë do të përfitojë zbritjen 50%, pasi vlera e saj është nën kufirin prej 16.8 milionë lekësh, që përfaqëson dyfishin e pragut të patatueshëm. Nëse aplikohet norma 0.1%, detyrimi vjetor do të ishte 5 mijë lekë, praktikisht i njëjtë me nivelin aktual të taksimit.
Sipas analizave të publikuara nga Monitor, për një apartament 90 metra katrorë në Tiranë, taksa aktuale e ndërtesës varion nga rreth 3,600 deri në 10,200 lekë në vit, në varësi të zonës kadastrale dhe çmimeve fiskale të referencës.
Me formulën e re, ndikimi më i madh pritet të ndihet nga pronarët e banesave me vlerë të lartë, të cilët nuk do të përfitojnë plotësisht nga zbritja 50% e vlerës së pronës, duke u përballur me një rritje të ndjeshme të detyrimit fiskal.











