Impianti i trajtimit të ujërave të zeza të Tiranës vijon të mbetet një kantier i papërfunduar, edhe pse projekti ka nisur prej më shumë se një dekade dhe ka kushtuar mbi 100 milionë euro.
Projekti, i njohur si “Tirana e Madhe”, synonte të përpunonte mbi 90% të ujërave të zeza të kryeqytetit, në mënyrë që ato të mos derdheshin në Lanë, lumin e Tiranës, Ishëm dhe më pas në Detin Adriatik.
Megjithatë, punimet kanë mbetur të bllokuara prej vitesh, ndërsa në terren shihen ende struktura betoni dhe pjesë të papërfunduara të kantierit në drejtim të Kombinatit dhe Mëzesit.
Sipas dokumenteve të prokurimit, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve ka hapur së fundmi një tender të ri për “mirëmbajtjen e kantierit të Tiranës së Madhe”.
Fondi limit i tenderit është 19.198.300 lekë, ose rreth 200 mijë euro.
Në dokumentacion, objekti i prokurimit përfshin shërbime mirëmbajtjeje, riparimi dhe shërbime të tjera të lidhura me rrugët dhe pajisjet e kantierit.
Tenderë të ngjashëm janë zhvilluar edhe më parë, ndërsa impianti nuk është vënë ende në funksion.
Projekti ka nisur rreth 12 vite më parë, me një kosto fillestare rreth 70 milionë euro, por deri më tani shpenzimet kanë kaluar mbi 100 milionë euro.
Punimet u kryen nga bashkimi i kompanive “Dondi & Kubota”, të cilat kishin marrë përsipër ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të ndotura urbane.
Sipas të dhënave, projekti duhej të përfundonte brenda një afati 4-vjeçar, por prej vitit 2018 në kantier nuk janë kryer më punime të rëndësishme.
Konflikti mes palëve ka përfunduar edhe në arbitrazh ndërkombëtar, duke rritur më tej koston për shtetin shqiptar.
Ndërkohë, ujërat e zeza të Tiranës vijojnë të derdhen në Lanë dhe më pas në rrjetin lumor që përfundon në Adriatik.
Projekti mbetet një nga investimet më të mëdha publike të papërfunduara, ndërsa institucionet vijojnë të shpenzojnë para për mirëmbajtjen e një kantieri që ende nuk i shërben qytetarëve.














