Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste në Gjirin e Lalzit, e paralajmëruar si një mbledhje ku Edi Rama do të bënte llogaritë me kundërshtarët brenda partisë, përfundoi pa tronditjen e madhe politike që pritej.
Kryeministri kërkoi fikjen e kamerave dhe largimin e mediave, duke rezervuar një pjesë të diskutimeve vetëm për socialistët. Por ajo që ndodhi pas dyerve të mbyllura ishte më shumë një demonstrim i kontrollit të tij mbi partinë sesa një përmbysje e ekuilibrave të brendshëm.

Pavarësisht pritshmërive për një përballje të ashpër, Rama zgjodhi të godasë në mënyrë selektive, duke ruajtur të paprekur boshtin kryesor të pushtetit të tij politik.
Belinda Balluku, pavarësisht përballjes me drejtësinë dhe debatit mbi ndikimin e saj në qeveri, vazhdoi të qëndrojë në rreshtin e parë të socialistëve. Rama nuk dha sinjale për distancim politik prej saj, duke përsëritur qëndrimin se përgjegjësitë përpara drejtësisë janë individuale.
Ndryshe ndodhi me Erion Veliajn. Kryebashkiaku i Tiranës, i cili ndodhet në paraburgim dhe ka kërkuar largimin e Ramës nga drejtimi i partisë, humbi pozicionin e drejtuesit politik të kryeqytetit. Megjithatë, nuk pati ndonjë vendim për përjashtimin e tij nga PS.
Ndërkohë, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca u gjendën në shënjestër të kritikave dhe diskutimeve për përjashtim, duke dëshmuar se jo të gjithë socialistët trajtohen me të njëjtën ashpërsi politike.
Në fund, mbledhja që pritej të prodhonte një përplasje të madhe u mbyll kryesisht me riorganizime, mesazhe disiplinimi dhe përgatitje për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Rama tregoi se mund të ndryshojë drejtuesit politikë, të largojë nga funksionet njerëz që dikur konsideroheshin të pazëvendësueshëm dhe të paralajmërojë masa ndaj të tjerëve, pa prekur domosdoshmërisht figurat që vazhdojnë të kenë peshë në pushtetin e tij.
Asambleja nuk solli ndonjë rebelim të hapur, as ndonjë ndarje të dukshme në kupolën socialiste. Përkundrazi, konfirmoi se vendimet kryesore vazhdojnë të merren nga një njeri i vetëm.
Në Partinë Socialiste mund të humbasësh postin, të ndryshosh rreshtin apo të përfundosh jashtë strukturave drejtuese. Por kush largohet, kush mbrohet dhe kush mbetet në lojë, vazhdon të përcaktohet nga Edi Rama. /korrieri















