SPAK ka arrestuar në flagrancë administratorin e shoqërisë “ECO-ELB” sh.a. në Elbasan, Leli Kaja, i dyshuar se ka marrë 400 mijë lekë ryshfet nga administratori i një operatori ekonomik.
Arrestimi është kryer këtë të hënë nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas një hetimi të nisur më 1 tetor. Kaja dyshohet se ka kërkuar dhe marrë shumën prej 400 mijë lekësh në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkonte ligji si administrator i “ECO-ELB”.
Për dokumentimin e rastit janë përdorur metoda speciale hetimi dhe veprime të simuluara, ndërsa gjatë kontrollit personal, Kajës i është gjetur dhe sekuestruar shuma e parave që dyshohet se kishte marrë si përfitim të paligjshëm.
Leli Kaja akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Njoftimi i SPAK:
SPAK arreston administratorin e “ECO-ELB” për korrupsion pasiv
Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorit të çështjes, sot, më 5.10.2026 arrestuan në flagrancë shtetasin L.K., administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259, paragrafi 2, i Kodit Penal.
Arrestimi u krye në kuadër të procedimit penal nr. 108 të vitit 2026, të regjistruar më datë 1.10.2026 nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e referimit të BKH-së. Gjatë hetimit u përdorën metoda speciale të hetimit dhe veprime të simuluara.
Nga veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë, dyshohet se shtetasi L.K. ka kërkuar dhe marrë nga administratori i një operatori ekonomik shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekësh, në formën e përfitimit të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji si administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a.
Gjatë kontrollit personal, shtetasit L.K. iu gjet dhe iu sekuestrua shuma e sipërpërmendur.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
















