
Organizata kriminale shqiptare, e cilësuar si “karteli i parë shqiptar i narkotrafikut” dhe e drejtuar nga Franc Çopja dhe Ervis Çela, dyshohet se ka qarkulluar miliona euro të fituara nga trafiku i kokainës. Sipas dosjes voluminoze prej 282 faqesh, grupi përdorte jo vetëm rrugën detare, por edhe avionë privatë të blerë posaçërisht për transportin e drogës nga vendet e prodhimit.
Në një bisedë të dhjetorit 2020 në aplikacionin e koduar Sky ECC, Çela dyshohet se kishte nisur një ngarkesë prej 8 tonësh kokainë dhe kishte blerë një avion të vogël për këtë qëllim. Miliona eurot fitime, të transportuara kryesisht me linja udhëtarësh, investoheshin në prona dhe biznese në Shqipëri dhe Europë. Paratë dorëzoheshin zakonisht në ambiente të mbyllura si garazhe, ndërsa në një rast janë regjistruar 595 mijë euro të dorëzuara brenda vendit.
Hetimet zbuluan edhe metoda të pazakonta për fshehjen e parave: nga groposja nën rrënjët e ullinjve deri tek kthimi i tyre në lingota ari, me sasi që sipas bisedave mund të arrinin deri në 1000 kg flori. Grupi kishte lidhje të drejtpërdrejta me furnitorë nga Brazili, Paraguai dhe vende të tjera të Amerikës Latine, duke shfrytëzuar portet e imbarkimit në këto shtete. Droga fshihej në produkte të ligjshme si fruta ekzotike, drithëra, minerale dhe mallra industriale.
Operacioni ndërkombëtar i SPAK, Europol dhe agjencive të tjera europiane çoi në 15 urdhërarreste, prej të cilëve 6 persona janë ende në kërkim. Çopja është arrestuar më herët në Belgjikë, ndërsa Çela u kap muajin e kaluar në Himarë për një tjetër akuzë, atë të vrasjes. Hetimet po fokusohen tek dy ngarkesa të mëdha: 11.6 tonë kokainë nga Paraguai në Belgjikë dhe 16.4 tonë nga Paraguai në Hamburg, Gjermani.