
Në ditët e fundit të vitit të kaluar, saktësisht në 27 dhjetor, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit shpalli një tender të majmë me vlerë 7.7 milionë euro për përmirësimin e sistemit të Thesarit të Shtetit. Pasi u ankimua disa herë nga kompania Advanced Business Solution e Gerond e Meçes për kriteret që kishte vendosur AKSHI, më në fund tenderi u zhvillua në maj të këtij viti.
Në garë u paraqitën 2 oferta, ku më e ulëta ishte ajo e bashkimit të kompanive Advanced Business Solution dhe Datalog me vlerë 5.1 milionë euro ose plot 2.5 milionë euro më poshtë se fondi limit. Megjithatë në fillim të qershorit, AKSHI shpalli vlerësimin e tenderit. Oferta e ABS dhe Datalog u skualifikua me justifikimin e përhershëm të mosplotësimit të kritereve.
AKSHI shpalli fitues të tenderit ofertën e dytë, atë të bashkimit të kompanive Communication Progress dhe Horizon e Ermal Beqirit, e cila ishte 6.8 milionë euro ose plot 1.7 milionë euro më e shtrenjtë se oferta e dyshes ABS dhe Datalog.
Menjëherë sapo AKSHI shpalli fituesin e tenderit, kompania ABS e Meçes e ankimoi atë në Komisionin e Prokurimit Publik duke kërkuar anulimin e skualifikimit si dhe shpalljen fituese të ofertë së saj.
Madje jo vetëm kaq, por në ankesë ABS denonconte në Komisionin e Prokurimit se dy kompanitë e shpallura fituese nga AKSHI nuk përmbushnin kriteret e tenderit duke kërkuar madje dhe hetim të posaçëm për këtë çështje. Përgjatë kësaj kohe në KPP është zhvilluar një betejë e fortë, madje edhe seancë e posaçme dëgjimore mes palëve.

Heqja dore e ABS nga ankesa per tenderin 7.7 milione euro te Thesarit
Por teksa çështja ishte ende në shqyrtim nga KPP, dy ditë më parë, në mënyrë të beftë, ABS ka dorëzuar pranë Komisionit një letër ku tërhiqet nga ankesa për tenderin 7.7 milionë euro duke pranuar madje të paguajë edhe 40 mijë euro si tarifë ankimimi.
Gerond Meçe pështyn veten
Ai i Sistemit të Thesarit nuk është tenderi i vetëm, për të cilin kompania ABS ka tërhequr ankesën. Sipas dokumentave zyrtare, dy ditë më parë, ABS ka tërhequr dorë nga ankesat e të gjithë tenderave në proces ankimi. Madje duke arritur deri në pikën që të pështyjë mbi veten, siç është rasti flagrant i tenderit për sistemin LIMS të sigurisë ushqimore dhe veterinarisë.

Gerond Meçe, Pronar i ABS
Ky tender u shpall nga AKSHI një muaj më parë, saktësisht në 14 korrik. Vetëm 10 ditë pas shpalljes së tenderit ABS e ankimoi atë në KPP duke kundërshtuar kriteret e vendosura nga AKSHI. Madje jo vetëm kaq, por në ankesë Gerond Meçe e akuzoi drejtëpëdrejtë AKSHI-n për korrupsion dhe ngushtim të qëllimshëm konkurrence.

Akuza e forte e ABS-se per AKSHI-n ne KPP
“Për fat të keq, historia e informacionit të klasifikuar apo zonave të sigurisë apo kërkesat për CSI, CSP dhe OSI janë një fenomen që AKSHI e ka përqafuar fort dhe e përdor sa herë të mundet me qëllim ngushtimin sa më shumë të konkurrencës në cdo procedurë prokurimi,” denonconte ABS në ankesën e dorëzuar në KPP vetëm tre javë më parë.
Por teksa edhe kjo çështje ishte në objekt shqyrtimi, befas Gerond Meçe dy ditë më parë, njoftoi KPP-në për tërheqjen nga ankesa, jo vetëm për këtë tender, por edhe për tre të tjerë.
Erë pazari i ndyrë
Deri dy vjet më parë ABS ishte kontraktori kryesor i AKSHI-t duke marrë miliarda lekë tendera me gara të kompromentuara dhe madje edhe me procedura sekrete. Por në mënyrë të papritur, në gjysmën e dytë të vitit 2023 kompanisë iu heq çdo akses nga fondet publike. Vendin e ABS në tenderat e AKSHI-t e mori Soft & Solution e Ermal Beqirit.

Ermal Beqiri, kontraktori kryesor i AKSHI
Ky i fundit praktikisht ka komanduar çdo tender të AKSHI-t gjatë dy viteve të fundit duke çuar në një përplasje të fortë mes tij dhe Gerond Meçes. Në këto dy vjet, ABS e Gerond Meçes ka ankimuar thuajse çdo tender të zhvilluar nga AKSHI, të cilat fitoheshin gjithmonë nga kompanitë nën kontrollin e Ermal Beqirit. Situata u bë aq kritike saqë e çoi AKSHI-n në bllolkim të plotë dhe këtë vit Agjencia nuk ka arritur të mbylle dot asnjë procedurë prokurimi.

Linda Karçanaj, Drejtoreshe e AKSHI
Por me zhvillimet e dy ditëve më parë situata është zhbllokuar. Gerond Meçe është tërhequr nga çdo procedurë ankimimi dhe pyetja e madhe është çfarë e shtyu atë të pështynte mbi veten? Një pazar skutash për të ndarë llokmën e madhe të tenderave të IT-së njësoj siç ndajnë trafikantët e drogës territoret e tyre apo një urdhër nga sipër? Gerond Meçe është çelësi./Kapitali.al