Një ngjarje e pazakontë dhe shqetësuese po trondit qytetin e Përmetit. Tre persona janë zhdukur në të njëjtin segment rrugor, duke krijuar një mister që po alarmon komunitetin lokal.
Rasti më i fundit është ai i Agron Çumanit, i cili është parë për herë të fundit para tre ditësh në rrugën e vjetër Përmet–Lëshicë. Që prej asaj dite, nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij, ndërsa kërkimet e familjarëve dhe policisë nuk kanë dhënë rezultat.
Por kjo nuk është hera e parë që ndodh një zhdukje në të njëjtën zonë. Dy qytetarë të tjerë, Niko Dhimitri dhe Filip Kristidhi, janë zhdukur në rrethana të ngjashme në dy vitet e fundit, pa lënë asnjë gjurmë. As trupat, as mjetet e tyre nuk janë gjetur, ndërsa hetimet policore nuk kanë arritur të zbardhin asgjë.
Banorët e zonës shprehin frikë dhe pasiguri, duke pyetur pse nuk po kryhen hetime të thelluara dhe nëse pas këtyre zhdukjeve qëndron një person i rrezikshëm apo me probleme mendore.
Një pjesë e komunitetit sugjeron se personat mund të jenë mbytur në lumin Vjosë, por deri më sot nuk është gjetur asnjë provë që ta mbështesë këtë hipotezë.
Fenomeni po kthehet në një rast të frikshëm për përmetarët, pasi çdo vit në të njëjtin segment zhduket një person pa gjurmë.
Autoritetet ende nuk kanë dhënë një shpjegim zyrtar, ndërsa misteri i zhdukjeve në Përmet mbetet i hapur dhe kërkon përgjigje urgjente. /korrieri














