Prokuroria e Milanos ka hapur një hetim tronditës mbi disa shtetas italianë që dyshohet se gjatë viteve ’90 kanë paguar ushtarë të ushtrisë serbo-boshnjake për t’u lejuar të qëllonin mbi civilët në Sarajevë, gjatë rrethimit katërvjeçar të qytetit.
Hetimi nisi pas kallëzimit të shkrimtarit Ezio Gavazzeni, i cili, pas dokumentarit Sarajevo Safari (2022), mblodhi prova që tregojnë se të ashtuquajtur “turistë snajperë” nga vende të ndryshme perëndimore – përfshirë italianë – paguanin për “eksperiencën” e vrasjes së civilëve nga kodrat përreth Sarajevës.
Prokurorët, të udhëhequr nga Alessandro Gobbi, po hetojnë akuzat për vrasje me dashje dhe mizori, ndërsa disa nga të dyshuarit pritet të merren në pyetje javët e ardhshme. Gavazzeni thotë se motivet nuk ishin politike, por “kënaqësi personale” e personave të pasur që shkonin “në safari lufte” për të qëlluar mbi njerëz.
Rasti ka ringjallur kujtimet e errëta të rrethimit të Sarajevës, ku mbi 10 mijë civilë humbën jetën nën zjarrin e snajperëve dhe bombardimeve midis viteve 1992–1996.















