Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK), Flauers Shoshi, u paraqit para qytetarëve vlonjatë me pamjen e tij të përhershme, me pak mjekër të parruar. Ai u tha banorëve të revoltuar të qytetit bregdetar, të cilët kanë pesë ditë pa ujë, se edhe ai, vetë Drejtori i madh, ishte i palarë, duke i qëndruar në kokë difektit që thau çezmat e mijërave banorëve në kulmin e dimrit, në këtë prag të Vitit të Ri.
Fjalët e Shoshit ndikuan në “zemrën e butë” të kryeministrit, i cili u prek aq shumë, sa nuk i kurseu lëvdatat për drejtorin: “Respekt për punën e palodhur të punëtorëve të ujësjellësit Vlorë, që nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, inxhinierit të njohur Flauers Shoshi, i cili prej disa ditësh e netësh gjendet në krye të operacionit të vështirë, po bëjnë të pamundurën për ta mbyllur këtë plagë të hapur në trupin e Vlorës prej një mine të vjetër nga një kohë e zezë për Vlorën”, deklaroi Rama në rrjete sociale.
Pra, shkurt e shqip-fajin e ka Saliu dhe drejtor Flauersi është hero. Por, hero për çfarë?

Flauers Shoshi është një nga “çunat e Ballukut”, i vendosur në krye të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve për të çuar përpara atë që konsiderohet si “reforma e qeverisë në sistemin e ujësjellësave”.
Falë kësaj reforme, qeveria ka tenderuar në përmirësimin e ujësjellësit të Vlorës miliona e miliona euro. Aq shumë tendera janë prokuruar, sa as vetë kabineti qeveritar nuk është në gjendje që të bëjë një përmbledhje të tyre. Tendera nga Bashkia e Vlorës, tendera nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, tendera nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve.
Rezultati? Vlora ka të paktën 5 ditë pa ujë dhe, me shumë mundësi, edhe trokitjen e gotave të fund-vitit do ta bëjnë me ujë të gazuar.
Pra, “heroi i Ramës”, Flauers Shoshi, ka meritën e padiskutueshme që po provon nervat e qytetarëve vlonjatë, po teston durimin e tyre, duke i lënë pa ujë për ditë të tëra, vetëm për një tub.
Bashkë me Shoshin, në këtë sipërmarrje sfiduese, qëndron edhe drejtori i Ujësjellësit të Vlorës, Ermal Murati.

Këta dy personazhe janë fytyra më e dukshme e papërgjegjshmërisë me ujin e Vlorës, një papërgjegjshmëri që shkon tek shefat e tyre, Belinda Balluku e Edi Rama.
Këta dy të fundit, duket qartë, që nuk kanë asnjë shans të lëvizin nga karriget e tyre qeveritare.
Po Flauers Shoshi dhe Ermal Murati, për çfarë arsye duhet të vijojnë të jenë në detyrë? Çfarë duhet të ndodh më shumë që Drejtori i madh i AKUK-ut dhe drejtori “i vogël” i Ujësjellësit të Vlorës të shkarkohen? Po SPAKU, Klod Braho me Altin Dumanin dinë gjë? A shohin lajme? Apo janë me pushime festive? /boldnews















