Një edukatore 32-vjeçare është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një fëmije 2 vjeç në një kopsht privat.
Në pranga është vënë B.H., ndërsa rasti është denoncuar në polici nga babai i të miturit.
Sipas të dhënave, prindi ka vënë re shenja dhune në fytyrën e fëmijës dhe e ka dërguar fillimisht në spital për ekzaminime.
I mituri kishte një nxirje në faqe dhe shenja skuqjeje në zonën e veshëve.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në kopshtin “Lala”, në rrugën “Aleksandër Moisiu”, në zonën e ish-Kinostudios.
Nga verifikimet e kryera dhe këqyrja e pamjeve filmike, dyshohet se edukatorja e ka goditur fëmijën dy herë me shuplakë.
Sipas burimeve, 2-vjeçari po qante dhe nuk po e zinte gjumi në momentin kur është ushtruar dhuna.
Gjatë marrjes në pyetje, 32-vjeçarja mësohet se ka pranuar se e kishte goditur fëmijën, duke deklaruar se nuk po arrinte ta qetësonte.
Pas administrimit të denoncimit, ekzaminimeve mjekësore dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, policia ka bërë arrestimin e saj. Materialet procedurale pritet t’i kalojnë prokurorisë për veprime të mëtejshme.
















