
Zgjidhje si zgjerimi i hapësirave të gjelbra sjellin përfitime të shumta: ajër më të pastër, përmirësim të shëndetit mendor, ulje të faturave të energjisë dhe reduktim të vdekshmërisë nga nxehtësia deri në 40%. Këto janë investime të zgjuara, por kërkojnë ndryshim të mënyrës sesi matim progresin ekonomik, duke vendosur në qendër shëndetin, mirëqenien, barazinë dhe qëndrueshmërinë…
Komisionerët e Komisionit Pan-Europian për Klimën dhe Shëndetin, kanë shprehur me urgjencë shqetësimin për krizën gjithnjë e më të rëndë shëndetësore që po shkaktohet nga ngjarjet ekstreme të motit në mbarë Europën dhe Azinë Qendrore.
Ky nuk është më një kërcënim i largët apo një shqetësim kalimtar sezonal – është një emergjencë shëndetësore publike që po zhvillohet në kohë reale. Shqetësimet janë adresuar në një letër të hapur që Komisioni i ka dërguar 53 shteteve anëtare të rajonit të Europës në Organizatën Botërore të Shendetësisë, ku bën pjesë dhe Shqipëria.
Kriza me të cilën përballemi
Rajoni Europian po përjeton valë të nxehti rekord, gjithnjë e më të shpeshta, më të forta dhe më vdekjeprurëse. Ato nuk janë thjesht të parehatshme – janë “vrasës të heshtur”, të cilët shpesh fshihen në statistikat e vdekjeve si goditje në tru, infarkte apo dështime respiratore. Në mënyrë të veçantë, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, ata që jetojnë në banesa me kushte të dobëta, gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura përballen me rreziqe të larta. Pasojat nuk kufizohen vetëm në ndikimin e menjëhershëm: ato prekin shëndetin mendor, produktivitetin, jetesën, dëmtojnë bujqësinë, rrisin faturat e energjisë dhe vënë nën presion infrastrukturën jetike. Vdekjet e lidhura me nxehtësinë janë rritur me 30% në dy dekadat e fundit, me mbi 100 mijë raste në 35 vende të Europës gjatë viteve 2022–2023. Qershori 2025 ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Europën Perëndimore, me dy valë të rënda të nxehti përpara pikut të verës. Ndryshimet klimatike po nxisin edhe përhapjen e sëmundjeve dikur të rralla në rajon – rastet e transmetimit vendas të dengues në BE/EEA u rritën me 368% nga viti 2022 në 2024.
Sistemet shëndetësore nën presion
Spitalet po përballen me rritje të menjëhershme të shtrimeve gjatë valëve të të nxehtit, veçanërisht për probleme të zemrës, mushkërive dhe veshkave. Shëndeti mendor po ndikohet: gjumi përkeqësohet, ankthi shtohet dhe aftësitë njohëse bien. Personat me probleme të shëndetit mendor kanë rrezik më të lartë për goditje nga nxehtësia dhe shtrime, pasi disa medikamente kufizojnë aftësinë e trupit për të rregulluar temperaturën. Punonjësit e shëndetësisë vetë përballen me rraskapitje, ndërkohë që sistemet e mbështetjes teknike dhe të ftohjes shpesh nuk funksionojnë.
Gjatë valës së të nxehtit në vitin 2022 në Mbretërinë e Bashkuar, spitalet Guy’s dhe St Thomas’ në Londër pësuan defekte kritike infrastrukturore. Këto dobësi janë të përhapura dhe po shtohen, duke e bërë të domosdoshme që planet e veprimit kundër të nxehtit të zbatohen menjëherë për të shpëtuar jetë dhe për të lehtësuar barrën mbi spitalet.
Shëndeti, klima dhe ekonomia
Kriza klimatike është krizë shëndetësore, ndaj veprimet për klimën janë edhe veprime për shëndetin. Ndotja e ajrit shkakton mbi 500 mijë vdekje të parakohshme çdo vit në Europë, shumë prej të cilave lidhen me djegien e lëndëve fosile. Zgjidhje si reduktimi i emetimeve dhe zgjerimi i hapësirave të gjelbra sjellin përfitime të shumta: ajër më të pastër, përmirësim të shëndetit mendor, ulje të faturave të energjisë dhe reduktim të vdekshmërisë nga nxehtësia deri në 40%. Këto janë investime të zgjuara, por kërkojnë ndryshim të mënyrës sesi matim progresin ekonomik, duke vendosur në qendër shëndetin, mirëqenien, barazinë dhe qëndrueshmërinë. PBB mund të rritet nga shpenzimet e trajtimit të viktimave të zjarreve, por nuk reflekton koston reale të katastrofave apo përfitimet e parandalimit./Monitor