Tre persona janë arrestuar në Tiranë gjatë dy operacioneve të zhvilluara nga policia për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe shitjes së armëve.
Sipas Policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë finalizuar operacionet e koduara “Shenja” dhe “Kodra”, me qëllim identifikimin dhe ndalimin e personave që posedojnë apo shesin armë zjarri.
Në operacionin “Shenja”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin nr. 4, ndaluan në Rrugën e Dibrës dy shtetasit Sh. S., 31 vjeç, dhe Sh. Sh., 43 vjeç.
Ata u kapën duke lëvizur me automjet, ndërsa gjatë kontrollit, 31-vjeçarit iu gjet një armë zjarri pistoletë me municion.
Nga verifikimet rezultoi se 43-vjeçari ishte me masë sigurie “arrest në shtëpi”.
Ndërkohë, në operacionin “Kodra”, specialistët e Komisariatit nr. 6 arrestuan shtetasin F. H., 69 vjeç.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, në fshatin Kodër Kashar, policia gjeti një pistoletë me municion dhe një armë gjahu me 112 fishekë.
Sipas policisë, armët dyshohet se posedoheshin me qëllim shitjen.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
NJOFTIMI
Në vijim të punës operative dhe asaj operacionale, me objektiv identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që posedojnë dhe/ose shesin armë zjarri, dhe për pasojë, përbëjnë rrezik për qytetarët dhe sigurinë publike, gjatë këtyre 24 orëve, u finalizuan 2 operacione në këtë fushë. Konkretisht:
-shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, finalizuan operacionin e koduar “Shenja”, si rezultat i të cilit u kapën duke lëvizur me automjet, në Rrugën e Dibrës, dhe u vunë në pranga shtetasit Sh. S., 31 vjeç dhe Sh. Sh., 43 vjeç, sepse gjatë kontrollit, 31-vjeçarit iu gjet 1 armë zjarri (pistoletë) me municion, ndërsa gjatë verifikimeve rezultoi se 43-vjeçari ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”;
-specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 finalizuan operacionin e koduar “Kodra”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi F. H., 69 vjeç, pasi gjatë kontrolleve në banesën e tij, në fshatin Kodër Kashar, u gjetën 1 armë zjarri (pistoletë) me municion dhe 1 armë gjahu me 112 fishekë, që dyshohet se posedoheshin me qëllim shitjen.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
















