Çelnik Shtupalli, 78-vjeçari nga fshati Homçan i Pogradecit, priti pesë orë për të takuar kryeministrin Edi Rama. Halli i tij ishte rruga katër kilometra e gjatë e fshatit, e cila prej vitesh i detyron banorët të përballen me baltën dhe mungesën e asfaltit.
Pasi kërkesa e tij u bë publike në media, Rama kërkoi që të organizohej takimi. I moshuari i shpjegoi problemin, ndërsa kryeministri i kërkoi kryetarit të Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, që rruga të asfaltohej.
“Faleminderit shumë Edi Ramës, se i tha Ilirit: ‘T’ia bësh rrugën me asfalt’”, tregoi Çelniku, i cili tha se e përqafoi kryeministrin në emër të të gjithë banorëve.
E përqafova dhe i thashë i gjithë populli të përqafon për të gjithë punën e madhe që ke bërë për Shqipërinë”, tha i moshuari në një video.
Për Çelnikun, të paktën në nivel premtimi, halli mori zgjidhje. Ai priti, kërkoi, doli në media dhe arriti deri te kryeministri. Por çfarë duhet të bëjnë mijëra qytetarë të tjerë që jetojnë në fshatra pa rrugë dhe nuk kanë mundësi t’i luten personalisht Ramës?
A duhet që çdo banor të presë pesë orë para një vile qeveritare? A duhet të dalë në televizion dhe të shpresojë që videoja e tij të mbërrijë te kryeministri? Apo duhet ta falënderojë pushtetin për një investim që financohet me taksat e vetë qytetarëve?
Rruga e një fshati nuk duhet të ndërtohet sepse një qytetar pati fatin të takojë kryeministrin. Investime të tilla duhet të evidentohen, buxhetohen dhe realizohen nga bashkitë dhe institucionet përgjegjëse, sipas nevojave të banorëve dhe jo sipas aksesit që dikush siguron te drejtuesit e pushtetit.
Çelniku mund ta ketë zgjidhur hallin e Homçanit. Por rasti i tij ngre një pyetje që mbetet pa përgjigje: kush ua shtron rrugën atyre që nuk arrijnë dot deri te Rama?














