
Teksa Shqipëria, nga veriu në jug, ndodhet nën pushtetin e flakëve, Policia e Shtetit ka identifikuar disa prej personave që dyshohet se janë autorë të zjarrvënieve.
Gjatë orëve të fundit, janë arrestuar 8 persona, si dhe është proceduar penalisht një tjetër.
Nga video e publikuar nga uniformat blu shihet se një nga zjarrvënësit është kapur nga kamerat e sigurisë pranë një sipërfaqe toke me pemë ulliri, teksa ecën në rrugë dhe kthen kokën për të kontrolluar nëse ka ndonjë person që mund ta shohë.
Aty ai dyshohet se ka hedhur në tokë një cigare që ka shkaktuar zjarrin me përmasa të mëdha. Në lagjen “Uznovë” janë rrezikuar disa banesa dhe është djegur një sipërfaqe toke, ndërsa në fshatin Osmëzezë është djegur një sipërfaqe toke dhe pemë frutore.
Në Krujë, në fshatin Barkanesh, u arrestua 19-vjeçari Endri Doku, i cili dogji ullishtet e fqinjëve pas konflikteve me ta për motive pronësie. Këtë akt ai e kreu teksa ndodhej në masë arresti në shtëpi për kultivim të bimëve narkotike.
Në Memaliaj u arrestua 62-vjeçari Bashkim Lika, pasi në zonën e pyllëzuar dyshohet se ndezi zjarr. Si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogj territori i fshatit Koshtan, sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, rreth 400 pemë frutore dhe 3 banesa (aktualisht të pabanuara).
Në Fier, policia vuri në pranga 61-vjeçarin Shezai Banaj, i cili dyshohet se ka ndezur zjarr në luginën e lumit Vjosa, konkretisht në vendin e quajtur “Mezarak”. Si pasojë e flakëve, u dogj një sipërfaqe toke, 300 pemë ulliri dhe bimësi të llojeve të ndryshme të parkut kombëtar.
Në Lushnjë u ndalua 58-vjeçari Arjan Kaja, i cili akuzohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij në fshatin Dushk, ku si pasojë e përhapjes së flakëve u dogj një sipërfaqe toke. Gjithashtu, 58-vjeçari ka penguar zjarrfikësit për të shuar flakët.
Një grua në Durrës po hetohet në gjendje të lirë, pasi ndezi zjarr në oborrin e banesës së saj për të djegur mbeturina, dhe si pasojë u dogjën një sipërfaqe toke dhe një kasolle.