Pas tre muajsh hetime, policia italiane ka bërë dy arrestime për vrasjen e 55-vjeçarit shqiptar Mikel Rroku, trupi i të cilit u gjet i pajetë në banesën e tij në Torino. Në pranga kanë përfunduar bashkëshortja e viktimës dhe partneri i saj i ri.
Karabinierët e Komandës Provinciale të Torinos kanë ekzekutuar në orët e para të së martës urdhrat për arrestimin e dy të dyshuarve, një gruaje 45-vjeçare dhe partnerit të saj 52-vjeçar. Të dy janë shtetas italianë dhe dyshohen për përfshirje në vrasjen e Rrokut.
Trupi i 55-vjeçarit u gjet më 6 korrik, në apartamentin e tij në rrugën “Verolegno”, në zonën Lucento të Torinos. Viktima ishte në gjendje të avancuar dekompozimi dhe kishte dëmtime të rënda në kokë.

Gruaja italiane dhe i dashuri dyshohet se e masakruan me çekiç, Mikel Rrokun.
Ishin fqinjët ata që njoftuan autoritetet, pasi nga banesa vinte një erë e rëndë. Pas mbërritjes në apartament, policia nisi hetimet për të përcaktuar rrethanat e vdekjes dhe personat që mund të fshiheshin pas saj.
Hetimi tre mujor çoi në identifikimin e dy të dyshuarve, ndaj të cilëve gjykata ka vendosur masën e arrestit në burg.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të përcaktuar rolin e secilit prej të arrestuarve./RaiNews
















