Hetimi i SPAK ndaj një grupi të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash ka nxjerrë në dritë edhe komunikime për prona dhe investime në zonën e Zvërnecit.
Në kuadër të operacionit janë lëshuar 20 masa sigurie. Mes personave të arrestuar janë biznesmenët Orest Sota dhe Ilir Shtufi, ndërsa Artur Shehu është shpallur në kërkim.
Ky i fundit rezulton i lidhur me një sipërfaqe të konsiderueshme toke në Zvërnec, zonë ku është parashikuar zhvillimi i një projekti turistik luksoz.
Në dosjen hetimore të siguruar nga SPAK përfshihen komunikime të zhvilluara në aplikacionin e enkriptuar SkyECC mes personave nën hetim. Sipas prokurorisë, bisedat tregojnë interesin e tyre për zhvillimin e pronave në Zvërnec, kontaktet me investitorë të huaj dhe mënyrën se si koordinoheshin takimet për të parë tokat.
Nga komunikimet dhe verifikimet në sistemin TIMS rezulton se Adrian Rama ka udhëtuar drejt Stambollit për t’u takuar me Artur Shehun gjatë periudhës korrik–shtator 2020.
Në një bisedë të datës 7 korrik 2020, Adrian Rama i tregon Elton Memetit se kishte komunikuar me Artur Shehun. Sipas bisedës, Shehu i kishte kërkuar që në telefon të mos diskutohej për para, shtëpi, toka apo për një person të përmendur me nofkën “Bunia”, por çështjet të trajtoheshin vetëm në takime të drejtpërdrejta.
Ai i kishte bërë të ditur gjithashtu se pas datës 15 korrik do të ndodhej në Stamboll dhe kishte kërkuar që Rama të udhëtonte një ditë më herët për ta pritur.
Të dhënat e TIMS tregojnë se Adrian Rama është nisur më 19 korrik 2020, një ditë përpara takimit të paralajmëruar në komunikime.
Në një tjetër bisedë, të zhvilluar më 15 gusht 2020, ndërsa ndodhej në Stamboll, Rama i thotë Memetit se shpresonte që personi me të cilin ishte të arrinte marrëveshje me disa shtetas turq. Sipas tij, mbyllja e marrëveshjes do të ishte në interesin e tyre, por palët vazhdonin ende negociatat.
Dosja përmban edhe komunikime për një vizitë në Zvërnec. Adrian Rama i shkruan Alfredo Hamzait se duhej të ndodheshin në Vlorë, pasi disa persona do të shkonin me gomone për të parë pronat.
“Duhet me shku në Zvërnec me pa ato pronat me gomone, se vijnë ca miq”, thuhet në një nga mesazhet e administruara nga hetuesit.
Në komunikim përmendet edhe një person nga Tirana, i cili pritej të merrte pjesë në vizitën e pronave së bashku me persona të tjerë.
Sipas SPAK, personat nën hetim koordinonin takime me shtetas të huaj të interesuar për pronat në Zvërnec dhe diskutonin çmimet, shitjen apo hyrjen në bashkëinvestim.
Në një seri mesazhesh, Adrian Rama kërkon të mësojë çmimin që u ishte dhënë më parë investitorëve për tokat në Zvërnec dhe Palasë, në mënyrë që Artur Shehu të mos jepte një ofertë të ndryshme dhe “të dilte bllof”.
“Vetëm pyeti me çfarë çmimi kanë bërë bisedë, sepse kusho po i jep çmim tani”, shkruhet në komunikim.
Në vijim flitet për mundësinë e bashkëpunimit me investitorë që kishin lidhje në Angli dhe që, sipas bisedës, ishin të gatshëm të hynin menjëherë në një marrëveshje “50 me 50”.
SPAK vlerëson se këto komunikime tregojnë se Artur Shehu dhe Alfredo Hamzai kishin përfituar toka në Zvërnec dhe ishin angazhuar për zhvillimin e tyre.
Në dosje përmenden edhe diskutime që, sipas hetuesve, lidhen me aktivitetin e dyshuar të trafikimit të narkotikëve dhe me kërkesa për para apo pjesë në projektet e planifikuara.
Në një prej bisedave të SkyECC flitet për shitjen e “mallit” çdo muaj, për ndarjen e parave dhe për pretendime për pjesë në projektet e ardhshme. Prokuroria i konsideron këto komunikime si elemente që tregojnë dijeninë dhe përfshirjen e disa prej personave nën hetim në veprimtarinë e dyshuar kriminale dhe në pastrimin e produkteve të saj.
Sipas SPAK, Artur Shehu, Arben Ismailaj dhe Leonard Bishaj kishin dijeni për veprimet që kryheshin me pronat dhe për lidhjen e tyre me investimet e planifikuara.
Hetuesit dyshojnë gjithashtu se një pjesë e pasurive është përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara. Në dosje përmenden konkretisht pasuria nr. 1/1 në zonën kadastrale 3951, Zvërnec, dhe pasuria nr. 262 në zonën kadastrale 1007, Akërni.
Për regjistrimin e pasurisë nr. 262 në Akërni është zhvilluar edhe një proces i gjatë gjyqësor.
Çështja lidhej me kërkesën e Pëllumb Petritajt për ndryshimin e një vendimi të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe njohjen e pronësisë në emër të trashëgimtarëve të Seit Shehut mbi pronën e quajtur “Kullota Dalan”, në Zvërnec.
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e rrëzoi padinë në prill të vitit 2013, duke e konsideruar të pambështetur në ligj dhe në prova.
Megjithatë, në dhjetor të po atij viti, Gjykata e Apelit Tiranë ndryshoi vendimin dhe njohu të drejtën e pronësisë për trashëgimtarët e Seit Shehut mbi një sipërfaqe prej 156 hektarësh në Zvërnec.
Prona kufizohet nga Kanali i Hidrovorit në veri, Liqeni i Nartës në lindje, kanali i ish-Ndërmarrjes së Peshkimit në jug dhe brezi ranor që e ndan nga Deti Adriatik në perëndim.
Mbi bazën e vendimit të Apelit, pasuria me sipërfaqe 156 hektarë është regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë.
Për SPAK, komunikimet për vizitat me gomone, negociatat me investitorë të huaj, diskutimet për çmimet dhe bashkëinvestimet janë pjesë e hetimit mbi mënyrën se si paratë e dyshuara se vinin nga aktiviteti kriminal synohej të kanalizoheshin në prona dhe projekte zhvillimi në bregdetin shqiptar.
Akuzat dhe dyshimet e ngritura nga SPAK mbeten për t’u provuar në gjykatë.















