Kuvendi zgjodhi Ismail Shehun në krye të Komisionit të Prokurimit Publik, pas një procesi që nxori në pah përplasjet mes grupimeve të ndryshme brenda Partisë Socialiste.
Shehu mori 78 vota pro, ndërsa 3 deputetë abstenuan dhe 4 votuan kundër.
Votimi nuk kaloi si një procedurë rutinë. Seanca u ndërpre dy herë, ndërsa situata u zhbllokua vetëm pas ndërhyrjes së kryeministrit Edi Rama.
Gara për drejtimin e KPP-së kishte marrë prej ditësh dimension politik, për shkak të rolit kyç që ky institucion ka në shqyrtimin e ankesave për tendera me vlera të mëdha.
Ismail Shehu konsiderohej kandidati i mbështetur nga Ulsi Manja, ndërsa Enea Hoti shihej si kandidati i afërt me Bledi Çuçin.
Në fund, Hoti u tërhoq nga gara, duke i hapur rrugë zgjedhjes së Shehut.
Kandidatura e Behar Zenelit, e lidhur me linjën e Bashkisë së Tiranës, mori vetëm dy vota pro.
Zhvillimet në sallë treguan se beteja për KPP-në ishte më shumë sesa një garë emrash.
Në lojë ishin ekuilibrat e brendshëm të mazhorancës dhe kontrolli mbi një institucion që ndikon drejtpërdrejt në fatin e tenderave publikë.
Ironia është se, ndërsa qeveria ka premtuar përdorimin e inteligjencës artificiale për të reduktuar ndërhyrjen njerëzore në prokurime, për zgjedhjen e drejtuesit të KPP-së u desh ndërhyrja personale e kryeministrit.
Në fund, rezultatin nuk e përcaktuan algoritmet, por balancat politike brenda Partisë Socialiste.
















