Plazhet publike nuk janë më domosdoshmërisht falas. Një rregullore e re u ka dhënë bashkive mundësinë për t’i administruar dhe tarifuar vetë këto hapësira, për shërbime si çadra, shezlongë, pastrim dhe siguri. Kështu, pushuesit paguajnë për shërbimin edhe në plazhe që nuk janë private.
Baza e kësaj skeme është rregullorja për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacioneve të plazhit, e miratuar nga Këshilli i Ministrave më 16 tetor 2024.
Rregullorja pësoi ndryshime të rëndësishme më 28 janar 2026, kur në të u përfshi edhe kategoria e “plazheve publike të tarifuara nga Njësia e Vetëqeverisjes Vendore”, të cilat administrohen dhe tarifohen nga bashkitë ose entet e krijuara prej tyre.
Rregullorja përfshin, përveç zonave bregdetare, edhe hapësira përgjatë liqeneve dhe lumenjve, duke i dhënë një rol më të madh bashkive dhe institucioneve rajonale në administrimin e plazheve gjatë sezonit turistik.
Skema e re lidhet drejtpërdrejt me çështjen e aksesit të qytetarëve në hapësirat publike të bregdetit, veçanërisht në raport me premtimet e përvitshme të qeverisë për lirimin e hapësirave bregdetare.
Më 4 shtator të vitit 2025, kryeministri Edi Rama, në një takim me drejtues të pushtetit vendor dhe përfaqësues të sektorit të turizmit, u shpreh se plazhi publik nuk duhet të jetë “një zonë shkretëtire”, duke nënkuptuar se u duhet shërbimi.
“Plazhi publik nuk mund të ketë vetëm rërë edhe të jetë si një zonë shkretëtire, por duhet të ketë shërbim.” tha Rama.
Po në 4 shtator, u publikua një intervistë e kryeministrit në emisionin “Opinion”, ku deklaroi se plazhe si ato të Ksamilit dhe Dhërmiut nuk do të administroheshin më nga privatët, por nga bashkitë përkatëse dhe struktura të posaçme që do të krijoheshin për këtë qëllim.
Nga verifikimet e kryera në terren dhe nga bisedat me vendas, duket se ky premtim nuk është mbajtur pasi në këto zona ofrohen kryesisht shërbime nga subjekte private.
Administrimi i ri duket se synon pikërisht këtë, të shtojë plazhet publike, por me pagesë.
Sipas ekonomistit Zef Preçi, pagesa e qytetarëve për çadrën dhe shezlongët në plazhet publike mund të konsiderohet një formë e “taksimit të dyfishtë”, pasi qytetarët kontribuojnë fillimisht përmes taksave dhe tarifave vendore.
“Eshtë e padrejtë që në plazhet publike të paguhet përsëri për përdorimin e çadrës dhe shezlongut. Kjo mund të bëhet në plazhet e dhëna me qira nga pushteti te operatorët ekonomikë privatë, duke supozuar investime të këtyre të fundit në infrastrukturën përkatëse, por gjithnjë kundrejt rregullimit shtetëror”, u shpreh Preçi.
Sipas Preçit, hapësirat publike të bregdetit lidhen drejtpërdrejt me të drejtën e qytetarëve për të përfituar nga pasuritë publike.
“Lënia e sipërfaqeve të lira, të njohura si ‘plazhe publike’ në fakt, publike duhet të quhen të gjitha plazhet, për sa kohë që janë pasuri kombëtare e patjetërsueshme, të paktën formalisht ka të bëjë me të drejtën elementare të çdo qytetari, votuesi apo taksapaguesi.” shton më tej eksperti.
Sa kushton plazhi publik?

Vlorë
Vlora është një nga destinacionet më të frekuentuara turistike të vendit, si nga vizitorët e huaj, ashtu edhe nga pushuesit vendas. Territori i bashkisë ka një vijë bregdetare prej rreth 90 kilometrash, nga grykëderdhja e Vjosës deri në Karaburun.
Në Bashkinë Vlorë janë përcaktuar 10 parcela bregdetare si plazhe publike me tarifë. Tetë në zonën e Lungomares dhe nga një parcelë në Plazhin e Vjetër dhe në Orikum.
Më 30 prill 2026, Këshilli Bashkiak i Vlorës miratoi tarifën prej 700 lekësh për një çadër dhe dy shezlongë. Hapësirat administrohen nga strukturat vendore dhe shoqëria “Vlora Invest” sh.p.k., e cila ka marrë në administrim 882 çadra të shpërndara në këto 10 parcela.
Sipas shoqërisë, tarifa përfshin shërbime si pastrimi, menaxhimi i mbetjeve, rojet bregdetare, ndihma e parë dhe aksesi në ambiente higjieno-sanitare.
Lezhë
Në Lezhë, Bashkia administron 30 stacione plazhi me pagesë, ndërsa rreth 60% e plazheve publike në territorin e saj vijojnë të jenë pa tarifim, sipas një përgjigjeje zyrtare.
Nga stacionet me pagesë, 15 ndodhen në Ranën e Hedhun, katër në zonën Kune-Shëngjin dhe 11 në Vain-Tale. Tarifat ndryshojnë sipas strukturës, një çadër kashte kushton 500 lekë, një set me çadër dhe shezlongë 1,000 lekë, ndërsa një gazebo familjare arrin deri në 2,500 lekë në ditë.
Shkodër
Në Shkodër, tarifat ndryshojnë sipas mënyrës së administrimit të stacionit të plazhit. Për hapësirat publike të menaxhuara nga strukturat vendore, tarifa është 400 lekë për një çadër dhe dy shezlongë në Velipojë dhe 300 lekë për të njëjtin set në Rrjoll.
Ndërsa për stacionet e administruara nga privatët, vendimi i Këshillit Bashkiak i 28 majit 2026 përcakton një çmim maksimal prej 900 lekësh me TVSH për një set me një çadër dhe dy shezlongë. Një gazebo mund të jepet me qira deri në 1,500 lekë me TVSH.
Pra, në të njëjtin territor, çmimi varion nga 300-400 lekë në hapësirat e menaxhuara nga bashkia deri në 900 lekë për set në stacionet e administruara nga privatët.
Himarë
Bashkia Himarë ka aplikuar tarifim në gjashtë plazhe publike gjatë sezonit 2026: Krorëz, Shpella e Lukovës, Filikuri, Gjipea, Shpella e Piratëve dhe Akuariumi.
Tarifa në Shpellën e Lukovës është 200 lekë për çadër, ndërsa në pesë plazhet e tjera është 300 lekë për çadër. Sipas Bashkisë Himarë, të ardhurat e mbledhura do të shkojnë në buxhetin e bashkisë dhe parashikohen në rreth 4.5 milionë lekë. Bashkia sqaron se pranë hapësirave të tarifueshme do të vijojnë të ekzistojnë edhe zona publike falas, konkretisht hapësirat që nuk mbulohen me çadra.
Ndryshe nga këto bashki, Bashkia Kavajë, në një përgjigje zyrtare, shprehet se nuk ka aplikuar tarifim për plazhet publike në territorin e saj.
Për Bashkinë Durrës dhe Bashkinë Sarandë, Citizens.al ka dërguar kërkesa për informacion, por deri në publikimin e këtij materiali nuk ka marrë përgjigje. Edhe nga kërkimi në vendimet e këshillave bashkiakë nuk rezultojnë të publikuara dokumente që përcaktojnë parcelat apo zonat ku janë vendosur plazhe publike me pagesë. /Citizens.al
















