InsideStory, ka siguruar për herë të parë materiale nga dosja kripto e Çopjave që zbulon nivelet e reja të lundrimit të bandave shqiptare.
gjithçka nisi pas një informacioni nga autoritetet spanjolle. Një grusht kartmonedhash pesë euroshe, ndezi një hetim të shtrirë në mbarë Evropën deri në Shqipëri duke zbuluar një rrjet të tërë pastrimi.
Sipas të dhënave zyrtare të Europol, në vitin 2021, gjatë një kontrolli në banesë të lidhur me një hetim për trafik kokaine, u sekuestruan cash, disa kartëmonedha 5-euroshe që kishin shënime me dorë. Ato jepnin informacione mbi personat që koordinonin dhe lehtësonin aspektin financiar të trafikut.
Guardia Civil spanjolle kuptoi që ajo që kishte në dorë ishte një “faturë dore” e një rrjeti global që lëvizte miliona euro nga trafiku i drogës përmes një sistemi financiar paralel, të padukshëm për bankat, por të lexueshëm për ata që dinin të interpretonin kodin dixhital të botës së krimit.
“Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe pasja në vëmendje e parasë dixhitale është hapi domosdoshëm që ky sektor të mos mbulohet me vellon e pastrimit të parave dhe e një sektori të errët. Kriptovaluta jo domosdoshmërisht është një sektor i errët”, u shpreh Nadia Elbasani, pedagoge.
“SPAK ka vendosur sekuestro mbi asete dixhitale, që kanë qenë në bitcoin apo kriptomonedha të tjera, kjo falë edhe bashkëpunimit me organet ligjzbatuese të huaja. Por gjithmonë vetëm në momentet që është realizuar exchange. Pra kemi atë palën e tretë që është exchange, i cili vetëm në këtë rast bëhet identifikimi i personit që dërgon, dhe personit që pret”, u shpreh avokati, Dritan Jahaj.
Pas sekuestrimit të atyre kartëmonedhave, autoritetet spanjolle njoftuan Europol-in. Ajo që u zbulua më pas ishte shumë më e madhe: rrjeti kishte degëzime në Dubai, Holandë dhe Shqipëri.
Në këtë fazë, në lojë hyn SPAK. Duke bashkëpunuar me Europol, hetuesit shqiptarë nisën të gjurmonin transaksione dixhitale që kalonin nëpër “wallet”-e të enkriptuara. Çdo monedhë virtuale mbartte historinë e një rruge të errët financiare. Nga trafiku i kokainës e deri te investimet në vila dhe biznese në dukje të ligjshme në vendin tonë.
“Në një rast të tillë duhet të jetë e domosdoshme që subjektit që i është sekuestruar dhe po hetohet nga organi i prokurorisë për pastrim të produktit të veprës penale do duhet që ai të konfirmojë që ai është përdoruesi i atij portofoli, të japi të dhënat e tij, të tregojë transaksionet që realisht ai ka kryer dhe ka përfituar të ardhura nga ky wallet që ai menaxhon dhe gjëja kryesore është që të identifikojë burimin kryesorë pra momentin fillestar që ai ka investuar në blerjen e këtyre kriptomonedhave”, u shpreh avokati, Dritan Jahaj
“Deri tani ka pasur një rezultat shumë të mirë në gjurmimin e portofoleve, që kanë bërë transaksione të fshehta, me qëllim për të fshur para apo për të fshehur investimet e tyre, që kanë në kriptomonedha. Por, gjithmonë është mënyra se në një pikë në një momet duhet të lidhet protofoli dixhital që është i paidentifikuar me personin.” u shpreh Dorian Kane, ekspert i Kripto.
Falë këtij operacioni u zbulua një rrjet i fshehtë, ku çdo klikim në blockchain shërbente për të larë gjakun dhe paratë e krimit. Nga Spanja në Tiranë, SPAK dhe Europol sekuestruan mbi 35 milionë euro. 25 në Spanjë dhe në vijim të tij 10 milion euro e u sekuestruan me urdhër të Prokurorisë së posaçme në Shqipëri, duke goditur thelbin e “bankave të nëndheshme” të krimit të organizuar.
Për herë të parë, autoritetet shqiptare po përballeshin me një realitet të ri hetimor, atë ku prova nuk ishte më një dosje fizike apo një llogari bankare. Ishte një kod në blockchain, një zinxhir transaksionesh që mund të gjurmohej vetëm nga ekspertët e kibernetikës dhe financës kriminale.
Në dosjen ‘Bitcoin’ siguruar nga InsideStory thuhet se Organizata kriminale Çopja përdorte çdo mënyrë të mundshme për të forcuar fuqinë e saj dhe për të pastruar paratë e fituara nga krimi. Një nga mjetet më të rëndësishme ishte përdorimi i kriptovalutave.
“Grupet kriminale, kemi parë që historikisht kanë pastruar para në sektorë të tjerë, por sektori i kriptovalutave ka krijuar një farë velloje që mund të pastrohen para lehtësisht, por nuk është aq e thjeshtë, që të kryehet pastrim parash përmes kriptovalutave, sigurisht nuk është e pamundur, por platforma që janë të licensuara, këtu flasim për jashtë Shqipërie pastrimi parave përmes këtyre platformave është deri diku e vështirë sepse padyshim, kanë njohjen e klientit”, u shpreh Nadia Elbasani, pedagoge.
“Bashkëpunim ndërkombëtar që ka të bëjë me bursat kryesore të portofoleve dixhitale dhe ato që qarkullojnë kryesisht kriptomonedha siç është binancie apo edhe një kompani tjetër apo bursë tjetër e krijuar që në vitin 2011 në SHBA, me emrin cragen. Këto dyja janë bursat kryesore të cilat organet ligjëzbatuese shqiptare, kanë vepruar në bashkëpunim ndërkombëtar”, u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci
Sipas hetimeve, llogaritë në platformën BINANCE, të dyshuara se kontrollohen nga shtetasit Kujtim Kala dhe Izeir Loloci, përmbanin miliona dollarë….. Personat në fjalë dyshohet se kanë bashkëpunuar me grupin e të fortëve, rezultojnë pronarë exchangesh në Tiranë.
SPAK, me ndihmën e ekspertëve të blockchain-it, zbuloi se transaksionet kryheshin përmes rrjetit TRON/TETHER, me vlera të mëdha.
Në dosje përmenden 4 transaksione me vlera 105 mijë, 237 mijë, 978 mijë dhe rreth 2 milion dollarë. Këto shuma dyshohen se janë para të fituara nga trafiku i drogës.
“Në momentin që një platformë e licensuar e njeh personin i cili kryehen trasaksion, padyshim vështirësia për të kryer pastrim parash në këto platforma është e shtuar. Por, fatkeqësisht kemi platforma të cilat nuk e kanë identifikimin e klientit. Dhe këto platforma kanë më shumë potencial për tu pastruar para grupet kriminale”, u shpreh Nadia Elbasani, pedagoge.
“Një ekspert IT, mund të shikojë direkt në blochange, të gjitha trasaksionet se nga po vijnë, ku po shkojnë, tek cilat exchange janë këto fonde, dhe më pas nqs këto fonde po lëvizin nga një exchange dhe po shkojnë në një exchange tjetër. Por kjo kërkon shumë eksperiencë kërkon shumë ekspertizë, gjithashtu edhe disa software që janë shumë të avancuar për trakimin dhe gjurmimin e këtyre exchangeve”, u shpreh Dorian Kane, ekspert Kripto.
Hetuesit u përqendruan fillimisht në portën hyrëse, pra exchange-et. Këto platforma të centralizuara, ku të ardhurat shndërrohen në kripto me një klik, janë vendi ku paratë e pista marrin maskën e legjitimitetit……
Në shumë raste në botë dhe po ashtu në këtë dosje, operatorët përdorin pika këmbimi lokale për të legalizuar flukset. Kjo mendohet të jetë edhe arsyeja e implikimit të dy personave që opeorjnë në biznesin e këmbimit valutor.
Hetimi zbuloi një strukturë të qartë: para të sigurta që përkojnë me shitje droge kalonin në llogari bankare në vende të tjera, nga aty bliheshin në Tether, Ethereum, Bitcoin, dhe dërgoheshin në kuleta digjitale të një rrjeti të përhapur përdoruesish…..
Një pjesë e rrjetit ishte e qartë: llogari në Binance llogari të tjera të hostuara në një platformë që rezultoi të ishte “ALT 5 Sigma”, dhe ndërmjet tyre kuleta që mbanin transaksionet e mëdha.
“Organi i prokurorisë ka gjithë të drjetën që të vendosi sekuestro, nëse dyshon se ky ëall është përdorur për pastrimin e produkteve të veprës penale, por duhet të hetojë, të mbledhi provat për të shkuar në rastin e konfiskimit. Por ka edhe një problematikë shumë të rëndësishme këtu që është problematika e Çelësit.” u shpreh avokati, Dritan Jahaj,
Ndërsa hetimi avanconte, një element i qartë u shfaq: SOLUTION SRL, një kompani e regjistruar në qytetin e Milanos në Itali. Ajo kompani, nuk ishte më shumë se një kabinet që mbulonte flukset.
Nga data 23 tetor 2024 deri më 9 korrik 2025, të dhënat e transaksioneve treguan blerje kriptomonedhash në vlerë me rreth 40 milionë dollarë. Pra, shumë më tepër se vlera e deklaruar deri më sot prej 10 milionësh. Siç nxori në pah dokumentacioni, paratë hynin nga llogari bankare në Mbretërinë e Bashkuar dhe Spanjë drejt një xhungle të transaksioneve digjitale. Më tej, përshkonin disa kuleta dhe më në fund, silleshin në adresat që hetuesit e lidhën me anëtarët e organizatës nga Elbasani.















