Mesazhe mashtruese që përdorin emrin e Raiffeisen Bank po synojnë marrjen e të dhënave personale dhe bankare të klientëve. Banka ka paralajmëruar qytetarët të tregojnë kujdes ndaj SMS-ve që kërkojnë përditësimin urgjent të të dhënave, me pretendimin se përndryshe do t’u pezullohen shërbimet.
Skema njihet si “smishing”, mashtrim përmes mesazheve telefonike. Autorët krijojnë ndjesinë e urgjencës për ta shtyrë marrësin të klikojë në një lidhje dhe të dorëzojë informacionin e kërkuar.
Sipas paralajmërimit të bankës, mesazhet përmbajnë lidhje që i drejtojnë përdoruesit në faqe mashtruese. Aty u kërkohet të vendosin të dhënat personale, numrin e kartës dhe kodet njëpërdorimshe të sigurisë, të njohura si OTP.
Dorëzimi i këtyre të dhënave mund t’u mundësojë mashtruesve hyrjen në shërbimet bankare ose autorizimin e pagesave dhe transfertave pa miratimin e klientit.
Raiffeisen Bank u bën thirrje klientëve të mos klikojnë lidhjet që marrin përmes SMS-ve dhe ta shkruajnë vetë adresën zyrtare të bankës në shfletues.
Gjithashtu, klientët këshillohen të mos ndajnë të dhënat e kartës apo kodet e sigurisë që marrin në celular dhe të raportojnë menjëherë çdo komunikim të dyshimtë.
Personat që kanë klikuar në lidhje të tilla ose dyshojnë se kanë dorëzuar të dhënat e tyre duhet të kontaktojnë urgjentisht bankën përmes kanaleve zyrtare, në mënyrë që të merren masat për mbrojtjen e llogarisë. /korrieri
















